Drejtoria e Policisë së Fierit ka reaguar pas denoncimit të Bashës për fshehje të një pengmarrjeje pak ditë më parë.  Policia deklaron se pengmarrja nuk është fshehur, madje është pasqyruar ngjarja dhe autorët janë në kërkim pas denoncimit të 20-vjeçarit me inicialet F.L.

Sipas policisë, 20-vjeçari ka deklaruar se është rrahur dhe është mbajtur peng për disa orë në një banesë. Por Basha mbrëmë denoncoi se pengmarrja u krye nga Renato Çami dhe policia nuk ndërhyri, pasi sipas tij ai është “sponsor i PS-së”.

Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier
Në lidhje me statusin e publikuar nga Kryetari i Partisë Demokratike në rrjetin social Facebook, ku akuzohet Policia e Fierit për fshehjen e një ngjarjeje, informojmë se ngjarja në fjalë nuk është fshehur, por sipas procedurës standarde të punës është publikuar dhe mund të gjendet lehtësisht si çdo njoftim tjetër në faqen zyrtare online të Policisë së Shtetit.

Konkretisht ngjarja e pasqyruar në web "Më datë 03.10.2017 u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, për veprën penale “Heqje të paligjshme të lirisë” parashikuar nga neni 110/2 i Kodit Penal, si dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, pasi më datë 03.10.2017 është paraqitur dhe ka bërë kallëzim shtetasi F.L., 20 vjeç, banues në fshatin Petovë Fier, se në datë 02.10.2017, në lagjen "1 Maj" Fier është rrahur nga disa persona dhe është mbajtur peng për disa orë në një banesë".

Policia e Shtetit është e vendosur të kryejë detyrën me përgjegjësi e seriozitet dhe të ndëshkojë çdo paligjshmëri e këdo që shkel ligjin. E për këtë arsye, Policia e Shtetit fton çdo qytetar dhe parti politike të kërkojë informacion duke u garantuar përgjigje në kohë, për të shmangur pasaktësitë në mos abuzimet me faktet.