Kisha ortodokse “Apostull Pavli dhe Shën Asti” në Durrës ra pre e grabitësve gjatë orëve të vona të natës. Sipas njoftimit të policisë, persona ende të paidentifikuar kanë grabitur arkën e besimtarëve, shifër e cila nuk dihet.

Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar vetë insitucioni i shenjtë përmes një postimi në faqen e Facebook-ut, ku shkruhet se kjo gjë trondit ndërgjegjen e besimtarëve orthodhoksë, por edhe të gjithë atyre qytetarëve të ndershëm, të cilët respektojnë shenjtërinë e objekteve të kultit, pavarësisht se kujt komuniteti fetar i përket.

POSTIMI I PLOTË

PËRDHOSJE E RIPËRSËRITUR I OBJEKTEVE TË KULTIT

Sot datë 03.06.2019 Katedralja “Apostull Pavli dhe Shën Asti” është përdhosur dhe bastisur nga persona të panjohur, duke dëmtuar arkën e qirinjve dhe të besimtarëve. Është për të ardhur keq që objektet e kultit bëhen objekte abuzimi dhe përdhosjeje.

Këto ngjarje tronditin ndërgjegjen e besimtarëve orthodhoksë, por edhe të gjithë atyre qytetarëve të ndershëm, të cilët respektojnë shenjtërinë e objekteve të kultit, pavarësisht se kujt komuniteti fetar i përket.

Përsa ndodhi u njoftuan organet e rendit, të cilat kryen mbledhjen e provave për zbardhjen e ngjarjes.

“Fali, o Atë, se nuk dinë se ç’bëjnë” (Lk.23:34)! Lutemi që Perëndia t’i ndriçojë dhe t’i mëshirojë këta persona keqbërës.