Dhimitrie Meço, bashkëshortja e 70-vjeçarit Soni Meço që u plagos nga efektivi i FNSH, ka rrëfyer të gjithë ngjarjen që ndodhi orët e para të mëngjesit të sotëm në Fier.

Bashkëshortja tha se polici dhe i shoqi i saj janë konfliktuar dhe më pas është shkrepur arma duke e kapur në dorë 70-vjeçarin.

“Në orën 1 e gjysëm ishim duke fjetur, por dëgjova zhurmë dhe dola në ballkon. Pash që ishte aksidentuar makina dhe ishte futur në oborrin tonë. Zbritëm poshtë. Ishte vetëm një person. Kur burri pa makinën që ishte dëmtuar i tha; shiko ça më ke bërë. Ai (Polici) nisi që të shante. “Unë e djeg, unë të bëj..”. Filloi pastaj të shante burrin. Burri u acarua dhe u kacafytën, pastaj u rrëzuan dhe përleshën. Në kohë kur u përleshën, pash që polici nxori armën dhe e mbante në dorë. Burri më shtyti matanë që të më mbronte. Më pas arma u shkrep, dhe burri u plagos në dorë. Pastaj erdhi policia, se unë e kisha lajmëruar sapo pash që një makinë ishte në oborrin tonë”, tha ajo.