Në datat 19 korrik-25 korrik 2017, në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, u mbajtën Ceremonitë e Diplomimit të pesë Fakulteteve të tij.

Ndryshe nga vitet e tjera, për vitin akademik 2016-2017, ceremonitë e diplomimit të studentëve u zhvilluan më vete nga secili prej fakulteteve të UAMD-së.

Fakulteti i Shkencave Politike-Juridike, filloi i pari Ceremoninë e Diplomimit të 127 studentëve të tij, të cilët përjetuan emocione të mëdha në ditën e tyre të veçantë.

Dekani i FSHPJ-së, Prof. As. Dr. Andon Kume, lexoi emrat e të diplomuarve duke shpresuar që secili prej tyre ta bëje krenar UAMD-në e veçanërisht FSHPJ, me sukseset e tyre në fushën profesionale. Gjithashtu Rektorja e UAMD-së, Prof. Dr, Kseanela Sotirofski, duke i uruar suksese të gjithë studentëve konfirmoi diplomat e tyre duke lexuar “Formulën e Diplomimit”.

Më datë 20 korrik 2017, në ambientin e jashtëm të godinës qëndrore të UAMD-së, u zhvillua Ceremonia e Diplomimit të studentëve të Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit. Rreth 70 studentë konkretizuan punën e tyre tre vjeçare. Rektorja, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, konfirmoi diplomat e tyre dhe ceremonia u mbyll nën tingujt e muzikës.

Fakulteti i Studimeve Profesionale diplomoi 200 studentë, Dekani i këtij fakulteti Prof. As. Dr. Osman Metalla, duke i uruar suksese studentëve lexoi emrat e tyre. I ftuar në këtë ceremoni ishte edhe administratori i kompanisë Adria Ferries, z. Ferdinado Muti. Nën ritmin e muzikës e gëzimit të lexueshëm në fytyrat e studentëve, Rektorja Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, duke i uruar për punën e bërë në vite, e duke i uruar suksese në jetën e re që i pret konfirmoi diplomat e tyre.

Fakulteti i Biznesit diplomoi 200 studentët e tij në ambientet e jashtme të godinës së Kampusit Universitar më datë 24 korrik 2017. Ceremoninë e hapën dy prej studenteve më të mira të këtij fakulteti në ciklin Bachelor e Master, ato përshëndetën kolegët e tyre, si edhe pedagogët për punën e palodhur. Dekania e këtij fakulteti Prof. As. Dr. Azeta Tartaraj, pasi uroi studentët e falenderoi prindërit e pranishëm lexoi emrat e të diplomuarve, ajo i premtoi studentëve se në vitin e ardhshëm akademik do të hapen programe të reja studimi në ciklin e studimeve Master në Fakultetin e Biznesit për të gjithë të interesuarit. Ceremonia u mbyll nën tingujt e muzikës dhe kapeleve të hedhura lart nga të sapo diplomuarit siç është bërë traditë tashmë.

Ceremonia e fundit e Diplomimit për këtë vit akademik në UAMD, ishte ajo e Fakultetit të Edukimit e cila u zhvillua me dt. 25 Korrik 2017, në ambientet e jashtme të Kampusit Universitar, ku u diplomuan rreth 275 studentë. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm studentë, familjarë të tyre dhe stafi akafemik i FE. Në hapje të ceremonisë mbajti fjalimin e saj përshendetës Rektorja e UAMD, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, e cila përshëndeti të sapodiplomuarit, si dhe shprehu emocionet e saj, si pedagoge e shumicës prej studentëve që u diplomuan. Më pas vijoi fjalimi përshëndetës i Dekanit të FE, Prof. As. Dr. Jani Sota, i cili gjithashtu përshëndeti studentët e diplomuar. Gjatë ceremonisë mbajtën fjalimin e tyre studentët ekselentë të FE për të cilët u shpërndanë dhe certifikata mirënjohje për rezultatet e arritura gjatë viteve të tyre të studimit, si dhe për pjesëmarrje aktive në aktivitete.

(Fotot nga ceremonite e diplomimit u realizuan nga Denis Simaku)