Sfidat me të cilat përballet ekonomia e vendit, në përpjekje për t’u integruar në Bashkimin Evropian, ishin fokusi i punës kërkimore të stafit akademik të Fakultetit të Biznesit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, punë kërkimore kjo që u prezantua gjatë Konferencës Ndërkombëtare Shkencore “Politikat Ekonomike dhe Integrimi në Bashkimin Evropian”.

Rreth 200 autorë, mes tyre më shumë se 50 të huaj nga universitete të 10 vendeve të ndryshme evropiane, janë bërë pjesë e konferencës duke diskutuar mbi tema, që variojnë nga reformat ekonomike integruese në Bashkimin Evropian tek nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm, debati mbi rolin e universitetit si inkubator i promovimit të bizneseve të reja etj.

Prof. Asoc. Azeta Tartaraj, dekania e Fakultetit të Biznesit në Universitetin e Durrësit, thekson rolin e kësaj konference si një forum për të debatuar idetë, alternativat dhe zgjidhjet për problemet me të cilat përballet shoqëria.

Këtë vit, Konferenca Ndërkombëtare Shkencore “Politikat Ekonomike dhe Integrimi në Bashkimin Evropian” kishte edicionin e saj të nëntë, duke u shndërruar kështu në një qendër të debatit dhe prezantimit të kërkimit shkencor.

Punimet e saj u përshëndetën nga shumë të ftuar të veçantë, duke përfshirë këtu edhe Prof. Kseanela Sotirofski, rektorja e Universitetit të Durrësit.

Që nga viti 2009, kur ky takim pati edicionin e tij të parë, më shumë se 600 autorë kanë sjellë idetë e tyre, duke vendosur një themel të fortë të ndërtimit të një marrëdhënie të shëndoshë mes Fakultetit të Biznesit të Universitetit të Durrësit dhe përpjekjeve për të avancuar zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit.

K.H.