31 janari është afati i fundit që konsumatorët e ujit të pijshëm, që nuk kanë ende kontratë me ndërrmarrjen e Ujësjellësit ta lidhin atë, apo të nënshkruajnë aktmarrëveshje për të paguar me këste debitë.

Nisja e vitit të ri dhe paralajmërimi i kryeministrit për debitorët e ujësjellësit ka dyndur pranë drejtorisë së UKD-së qindra konsumatorë të ujit të pijshëm.

Fakti se mund ta pësojnë ashtu si debitorët e energjisë elektrike, ka bërë që debitorët e ujit të kërkojnë hapje të kontratave dhe pagesë me këste të debive të ujit të pijshëm.   

Gjatë dy muajve të fundit, pranë zyrave të klientit në Durrës dhe Shijak është shtuar ndjeshëm numri i qytetarëve që kërkojnë hapjen e kontratave të reja, vendosjen e matësave apo pagesën e debisë me anë të kësteve.

Ujësjellësi i Durrësit ka ngritur grupet e punës për këtë qëllim, në përbërje të të cilëve janë vendosur inspektorë, azhornues të zonës, hidraulikë si dhe lexues të zonës së faturimit.

Përgjegjësja e financës pranë Ujësjellës-Kanalizime Durrës, Stela Nenada, shprehet se vetëm gjatë muajit nëntor 2017 është rritur ndjeshëm numri i kontratave të reja, matësave të instaluar dhe prerjeve të lidhjeve të paligjshme.

Ndërmarrja e ujësjellësit ka bërë të ditur se ka ulur shumën e kësteve për aktmarrëveshjet si dhe të tarifës për pikat e lidhjes.

Ujësjellës Kanalizime Durrës iu ka bërë thirrje abonentëve që kanë probleme të natyrave të ndryshme me ujin që afati për rregullimin e gjendjes së tyre është deri në 31 janar dhe më pas do të ketë penalizime për ata që konstatohen me lidhje të paligjshme së bashku me bashkëpunëtorët e tyre të mundshëm nga UKD-ja.

K.H.