Mungesë sinjalistike horizontale dhe vertikale, rrethrrotullime të papritura, rrugë pa ndriçim, mbikalime të rrezikshme…

Në një vëzhgim që emisioni “Fiks Fare” bëri me ekspertin e Qarkullimit Rrugor, inxhinier Artur Sulçe në autostradën Tiranë-Durrës dhe në rrugë të tjera të rëndësishme të qytetit bregdetar arrin në përfundimin se në shumë prej tyre nuk është zbatuar asnjë standard sigurie.

Rruga nga Tirana në Durrës është një nga rrugët interurbane kryesore dhe ka ndërprerje të herëpashershme të rrugës, të cilat nuk janë në përputhje me normat dhe aktet ligjore e nënligjore, që ka aprovuar shteti shqiptar, konkretisht VKM-në e vitit 2015.

Unaza e jashtme e Durrësit në këtë aks është një kryqëzim ku semafori nuk punon, e njëkohësisht nga kryqëzimi nuk ke fushëpamje, pra mjeti që lëviz në rrugën kryesore nuk mund të konstatojë dot mjetin që del nga rruga dytësore.

“Këtu nuk është zbatuar asnjë standard”,- pohon inxhinier Sulçe.

Në këtë segment vërehet se, përveç ndërprerjes së rrugës kryesore, hyrjet janë perpendikulare (pingul), nuk kanë korsi përshpejtimi.

Sipas ekspertit, ARRSH-ja jo vetëm që duhet t’i konstatojë, por edhe duhet të ndërhyjë t’i riparojë, pasi nuk kanë kosto të lartë dhe rrisin performancën e sigurisë së rrugës.