Shqipëria është një nga vendet e Evropës që rrezikon të preket më shumë nga ndryshimet klimatike. Nëse nuk merren masa, në dhjetëvjeçarët e ardhshëm vendi ynë do të përballet me thatësira; përmbytje; dhe ngjarje ekstreme atmosferike, të cilat do të kenë impakt mbi burimet ujore, energjinë, agrikulturën, turizmin dhe shëndetin.

Në këto kushte marrja e masave mbrojtëse është e domsodoshme ndaj dhe UNDP ka nisur një sërë aktivitetesh në këtë drejtim. Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri Zj. Limya Eltayeb, studentë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, së fundmi u bënë pjesë e aktiviteteve të organizuara në kuadër të Social Good Summit që u zhvillua në Vlorë.

Aktivitetet synuan të vendosin ndryshimet klimatike në qendër të vëmendjes dhe të bëjnë thirrje për përfshirjen e gjithë shoqërisë dhe nevojën për të ndërmarrë masa mbi ndryshimet klimatike në mënyrë që Shqipëria të përmbushë detyrimet e Marrëveshjes së Parisit. Gjatë aktiviteteve u nënvizua bashkëpunimi midis UNDP, autoriteteve lokale, partnerëve kombëtar dhe ndërkombëtar të zhvillimit për mbrojtjen e mjedisit nëpërmjet ruajtjes së ekosistemeve të shëndetshme, produktive dhe të qëndrueshme. Ngrohja globale e nxitur nga njeriu ka arritur tashmë në rreth 1° C më shumë (2018) krahasuar me periudhat paraindustriale (1850-1900). Katër vitet e fundit ishin vitet më të nxehta.

Nivelet e deteve po rriten, shkëmbinjtë koralorë po shkatërrohen dhe impakti i ndryshimeve klimatike në shëndet përmes ndotjes së ajrit, valëve të të nxehtit dhe uljes së sigurisë ushqimore po bëhet gjithmonë e më evident.

Shqipëria do të jetë një prej vendeve të Europës që do të preket më shumë nga ndryshimet klimatike. Ngjarje ekstreme atmosferike dhe fenomene si rreshje të dendura, periudha të gjata thatësire, si edhe rritja e nivelit të Detit Adriatik do të jenë disa prej pasojave kryesore të cilat do të kenë impakt mbi burimet ujore, energjinë, agrikulturën, turizmin dhe shëndetin. Analizat shkencore më të fundit tregojne se nëse veprohet tani , eshte e mundur te ulen shkarkimet e gazeve serrë brenda nje periudhe 12-vjeçare dhe të mbahet rritja e temperaturës mesatare globale mjaft nën 2 °C dhe madje, siç kërkohet, në jo më shumë se 1.5 °C më lart niveleve paraindustriale.

Qeveria Shqipëtare u angazhua dhe po përgatitet që deri në vitin 2030 të reduktojë sasinë e çliruar të dioksidit të karbonit duke rishikuar zhvillimin e një sërë sektorëve të ekonomisë dhe duke përcaktuar de-karbonizimin si një mënyrë të re rritjeje në përputhje me axhendën botërore të 2030-s dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm- SDGs
UNDP Albania ka vendosur në dispozicion ekspertizën dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar më të gjithë partnerët dhe grupet e interesit për të arritur zgjidhje afatgjata që favorizojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e natyrës, aplikimin e teknologjive për burimet e rinovueshme të energjisë dhe efikasitetit të energjisë, rehabilitimin e mbetjeve dhe promovimin e riciklimit. 

Social Good Summit mbahet çdo vit gjatë Javës së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshme dhe paralelisht me hapjen e Sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-se në shtator. Eventi u organizua në bashkëpunim me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura në Vlorë.