Pasojat e tërmetit të 26 nëntorit kanë zbuluar shumë problematika nga ana arkitekturore dhe urbanistike, sidomos në qytetin e Durrësit.

Urbanisti Ardi Muka i ftuar në hapësirën e intervistës në Ora News zbulon se plani urbanistik për zhvillimin e qytetit nuk është vendosur në zbatim. Muka, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit në 2015-ën deklaroi se ky master plan është miratuar, por 4 vite më vonë nuk ka gjetur ende zbatim.

"Ky tërmet dhe nxori atë çfarë kemi bërë gabim këto 30 vite. Jo se në periudhën paraardhëse të regjimit komunist kemi pasur një zhvillim më të mirë por të paktën disa norma në atë periudhë ishin strikte. Në Durrës ky tërmet na nxori zbuluar, pjesën e projektimit, arkitektët, urbanistët. Në vitin 2015, Këshilli Bashkiak ku unë bëja pjesë, ka aprovuar një fond për të hapur normat e reja për master planin e qytetit, plani strategjik të zhvillimit të qytetit. Po hyjmë në 2020-ën dhe për motive thjesht korruptive, ai plan sot e kësaj dite nuk është i zbatuar në qytetin e Durrësit."

Për sa i përket një objekti 28 katësh në Durrës dhe të gjithë banesat që u shembën si pasojë e tërmetit, Muka deklaron se shteti nuk ka funksionuar.

"Objekti me 28 kate si dhe objektet që për fatin e keq u shembën me pasoja jetësh njerëzore treguan që në Durrës shteti nuk ka funksionuar. Kur them shteti dua të them Bashkia dhe pushteti qendror."