Pavarësisht hapjes së vendit të hënën e 18 majit, kur në zonat e kuqe fasha orare u zgjat deri në 21:00 dhe pjesa më e madhe e aktiviteteve u lejuan të hapeshin, mbrëmjen e së premtes kur askush nuk e priste, kryeministri Edi Rama befasoi shqiptarët teksa njoftoi se kjo fundjavë do të ishte njësoj si fundjavat e shkuara për sa i përket masave të izolimit.

Sipas urdhrit të nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë, nuk do të lejohen aktivitetet e biznesit, përveç farmacive dhe pikave të shitjes së produkteve ushqimore me pakicë, të cilat lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre ditën e shtunë, datë 23 maj 2020 deri në orën 21:00. Ndërsa ditën e diel të gjitha aktivitetet do të jenë të mbyllura.

Mëngjesin e sotëm në qytetin e Durrësit ka pasur disa lokale që janë hapur herët në mëngjes, të panjoftuar për lajmin që kishte publikuar Rama një natë më parë. Por forcat e policisë iu kanë mbërritur te dera dhe iu kanë komunikuar që janë në listën e bizneseve që sot dhe nesër duhet të qëndrojnë mbyllur.

Për arsyen thelbësore se nuk kanë qenë të informuar është bërë këshillimi i tyre dhe nuk janë gjobitur sipas aktit normativ, por bëhet me dije se në rast se konstatohen sërish hapur do të merren masa administrative.

Ndodhur në këto kushte, pavarësisht rihapjes nën kushte strikte higjieno-sanitare këtë fillimjavë, ata u detyruan të kyçnin  sot dyert pas vetëm 5 ditësh punë. “DurrësLajm” sjell pamje nga lokalet e boshatisura në shëtitoren “Taulantia”, ndërsa shëtitje kanë dalë të gjithë qytetarët.

Po ashtu, nga një vëzhgim i bërë nga “DurrësLajm”, thuajse pjesa më e madhe e dyqaneve të tjera në qytet janë hapur sot, pasi siç shprehen jashtë kamerave, nuk kanë qenë në dijeni të këtij urdhri për të qëndruar mbyllur në fundjavë.

Sipas urdhrit, nuk do të lejohet lëvizja e makinave, ndërsa sa i takon lëvizjes së këmbësorëve, lejohet lëvizja e pensionistëve dhe prindërve me fëmijëve deri në moshën 14 vjeç, ditën e shtunë dhe ditën e diel sipas fashave orare të përcakuara, pensionistët deri në orën 10:00, ndërsa prindërit pas orës 11:00.

Këto masa janë vetëm për zonat e kuqe, që janë 5 bashki; Tiranë, Durrës, Shkodër, Kurbin dhe Krujë. Por pas rikthimit të liridaljes gjatë javës, vështirë se këto urdhra do të zbatohen sërish me përpikmëri këtë fundjavë…