Vajza e Linda Ramës, padit Artur Zhejin dhe 7 portale per shpifje

24/04/2019 - 17:32

Ditën e sotme, Rea Xhillari ka paditur në gjykatë gazetarin Artur Zheji dhe 7 portale të tjera, pas artikujve të publikuar prej tyre, ku shkruhej se vajza e Linda Rames ishte në një lidhje bashkëjetese me Ministrin në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj. 

Arsyetimi i plotë i Rea Xhillarit:

Jam detyruar të vë në lëvizje gjykatën për të ushtruar kontrollin gjyqësor, mbi një shpifje të sajuar e të orkestruar ndaj meje, nga portale e individë për të cilët mësova se në gjuhën ligjore quhen "të paditurit solidarë". Ky sulm i mirëfilltë denigrues mbi bazën e një shpifjeje, e ka fillesën në mesin e muajit Janar 2019, kur jam vënë në shënjestër prej të paditurve solidarë. Ata apo më saktë fillimisht Artur Zheji pastaj të tjerët, kanë sajuar dhe përhapur lajmin e rremë, të shoqëruar me komente të turpshme, mbi një lidhje intime apo bashkëshortore timen me Z. Gent Caka, Zv. Minister për Evropën dhe Punët e Jashtme - person të cilin as e njoh personalisht dhe as e kam takuar kurrë ndonjëherë, qoftë edhe rastësisht. 
 
Nuk i njoh as i kuptoj motivet që kanë shtyrë Artur Zhejin, një person në moshë goxha madhore, aq sa mund të ishte prindi im, të më sulmojë kaq ligësisht e paturpësisht dhe në mënyrë të vazhdueshme. Unë nuk merrem me politikë, nuk punoj dhe as kam punuar kurrë për shtetin. Respektoj cdo ligj dhe cdo detyrim si qytetare e vendit tim. Nuk kam përfituar kurrë prej shtetit asnjë privilegj apo favor të çfarëdo lloji. 
 
I vetmi fill lidhës mes meje dhe botës së shpifjeve, mediokritetit dhe imoralitetit intelektual ku noton ky soj të paditurish solidarë, është fakti se jam vajza e Linda Ramës, e cila nga ana e saj, vetëm për shkak se është gruaja e Edi Ramës, është vënë në shënjestër, goditur, përbaltur nga i njëjti soj, me të njëjtat mjete denigruese të botës së tyre të ulët. 
 
Në fakt, as nëna ime nuk ka përfituar kurrë ndonjë favor nga të qënit gruaja e kryeministrit. Jeta e saj vazhdon e njëjtë, pa asnjë lidhje të drejtpërdrejtë ose jo, materiale apo financiare me shtetin. Profili i saj është një model shëmbullor i një jete pa privilegje, me një përditshmëri të pandryshuar dhe të lidhur ngushtë me punën e saj, të cilën e kryen me profesionalizëm e pasion prej 30 vitesh, pavarësisht se i shoqi është prej afër 6 vjetësh Kryeministër i Shqipërisë. 
 
Shpifjet kanë arritur deri tek im atë, Thanas Xhillari, profesor i mirënjohur i algjebrës përgjatë gjithë karrierës së tij profesionale në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, i cili gjithashtu respekton çdo ligj dhe çdo detyrim si çdo qytetar i këtij vendi. Për interesat politike të atyre që kërkojnë t'i hedhin hije të shkuarës së nënës sime për të shtuar përbaltjen ndaj të shoqit, edhe im atë u përfshi prej të paditurve solidarë, përmes disa pseudoakuzave, në një tjetër maskaradë mediatike. Ai u ballafaqua edhe me një proces të gjatë hetimi nga prokuroria, ku e tërë balta e hedhur mbi të u tret në lumin e fakteve kokëforta që dolën nga hetimi i provimeve të algjebrës, të disa pseudostudentëve që s'kishin marrë dot provimin. Ashtu si nëna ime, babai im është gjithashtu një model shëmbullor i mungesës së kompromiseve që mund të dëmtojnë profesionin e tij të cilin e kryen me pasion e përpikmëri prej 40 vitesh. 
 
Këto modele të cilat janë edhe udhërrefyesi im në rrugëtimin e jetës, siduket janë të papërfytyrueshme, të pabesueshme dhe të papranueshme për sojin e të paditurve solidarë. E vërteta për ta nuk ka asnjë rëndësi, ndërsa interesat e tyre mesa duket justifikojnë çdo mjet sado të ulët. 

Por e vërteta mund të vonojë, po nuk harron asnjëherë, megjithëse kur ajo del mbi llumin e të paditurve solidarë këta të fundit refuzojnë ta ndajnë atë me publikun. 
 
“Fenomeni i nepotizmit godet ashpër qeverinë Rama 2 në Ministrinë e jashtme tëShqipërisë. Në rrjetet sociale, dhe disa portale kohët e fundit po flitet gjithnjë e më shumë se vajza e gruas së Kryeministrit Rama, Linda Ramës, Rea dhe Ministri i Europës dhe Punëve të Jashtme-Genti Cakaj, janë në “bashkëjetesë” si i thonë në Shqipëri këtij lloj trendi ..[omissis] Madje, ka edhe dyshime se Ilir Meta-mund të kishte marr informacion nga shërbimet sekrete të sigurisë kombetare të Shqipërisë për këtë lidhje “dashurie” mes Genti Cakaj dhe Rea Xhillarit"... 
 
Kjo është një copëz e nxjerrë nga moria e paragrafëve trillues, të shkruar gjatë këtyre ditëve me një gjuhë të lemeritshme në çdo drejtim, të cilët kam qenë e detyruar t'i lexoj dhe koleksionoj për gjyqin me këtë soj të paftuarish në jetën time. 
 
Unë kam lindur në vitin e ndryshimit të sistemeve dhe nuk e kam njohur përveçse nga tregimet e gjyshërve, prindërve, mësuesve apo dhe nga leximet e rastit, barbarinë e regjimit komunist deri në fisin dhe farën e kundërshtarit politik. Nuk dua të bëj krahasime që çalojnë me një kohë kur edhe lidhjet e dashurisë, bëheshin shkak për pushkatime, internime apo denigrime publike vajzash. Nuk e di nëse në atë kohë sajoheshin për qëllime politike, deri edhe lidhje të paqëna mes njerëzish krejt të panjohur për njëri-tjetrin. Por ajo që di me siguri është se shtrirja e kthetrave të dhunës verbale dhe presionit psikologjik të këtij soji, brez pas brezi, deri tek fëmijët e kujt konsiderohet kundërshtar politik, është shprehje e të njëjtës ligësi kriminale që karakterizon çdo sistem padrejtësie. 
 
Në sistemin që lindi bashkë me brezin tim, personi është privat dhe jo pronë e shoqërisë. Në sistemin që lindi bashkë me brezin tim, gjëja e parë që mëson është se liria jote mbaron aty ku fillon liria e tjetrit. Sajimi i një lidhjeje të paqënë mes dy te rinjsh për të luftuar politikisht me prindin e njërit prej tyre, është një perversitet i pashoq që s'ka asnjë lidhje me këtë sistem.
 
Unë nuk kam asnjë armë tjetër për t'u mbrojtur nga pasojat e këtij perversiteti, përvecse duke i'u drejtuar drejtësisë.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Situata e zjarrit vazhdon të ngelet problematike në Shëngjin.

Aktorja dhe regjisorja Ilire Vinca ka reaguar në lidhje me postimin e kryeministrit Rama i cili e citoi atë në mbështetje të një godine t

  • 4 herë rikonstruksion i bulevardit “Dyrrah” në 7 vite dhe rreth 2 milionë euro të taksapaguesve durrsakë që shpenzohen për t

Pronari i kontenierit të bananeve Arbër Cekaj, ku u gjetën 613 kilogramë kokaine rrezikon të kthehet në Shqipëri.

Më 23 gusht 2019, atashetë ushtarakë gjerman, nënkolonel Hans Peter Vamsler (Wamsler), i cili plotësoi qëndrimin në Shqipëri dhe nënkolon

Këshilli i Qarkut Durrës, i cili ka në përbërjen e tij këshilltarë bashkiakë nga 3 bashkitë (Durrës, Shijak dhe Krujë), do të jetë i domi

Derdhja e ujërave të zeza në det është pamja më e shëmtuar që iu serviret pushuesve vendas dhe të huaj që zgjedhin bregdetin e Shqipërisë

Shqipëria po përjeton periudhën më të mirë turistike të pas viteve ’90. Të huajt e kanë “pushtuar” atë nga veriu në jug.

Tirana solidarizohet me Shëngjinin dhe Bashkinë e Lezhës për të përballuar situatën e vështirë të shkaktuar nga zjarri masiv që kanë përf