Hiqet tenda në sheshin “Liria” në Durrës, e ngritur për procesin e vaksinimit masiv të qytetarëve për moshat +65 vjeç. Më 5 prill, rreth një muaj më parë nisi ngritja e tendës metalike në qendër të qytetit, e cila mëngjesin e kësaj të shtune ishte hequr nga sheshi.

“DurrësLajm” tentoi të komunikonte me drejtoreshën e Shëndetit Publik në Durrës, Aurora Hyka për të mësuar për vijimësinë e këtij procesi për qytetin bregdetar, por ishte e pamundur një përgjigje.

Prej në muajin mars, kur nisi fushata e vaksinimit në Durrës, si qendra kanë funksionuar pallati i sportit “Ramazan Njala”, ku nisi vaksinimi i të moshuarve mbi 80 vje­ç e më pas gazetarëve dhe policëve, shkolla “Jan Kukuzeli” ku u vaksinuan mësuesit, pedagogët dhe edukatorët e çerdheve dhe kopshteve, si dhe disa qendra shëndetësore.

Një ditë më parë, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manasterliu njoftoi se më shumë se 585 mijë vaksinime janë kryer aktualisht në vendin tonë.