Në fillimin e javës së dytë të vaksinimit anticovid, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër procesin në Air Albania Stadium, ku sot ka nisur vaksinimi i stafit mjekësor të pavionit covid të pediatrisë.

“Me mjekët dhe infermierët e pavionit COVID të Pediatrisë Infektive, të cilët nisën javën e dytë të vaksinimit antiCOVID në Qendrën e Vaksinimit në Stadiumin Air Albania

447 mjekë dhe infermierë të vijës së parë të betejës janë sot më të mbrojtur nga koronavirusi i rrezikshëm, ndërsa do të vijojmë me vaksinimin e kombinuar, sipas planit kombëtar të vaksinimit antiCOVID.” shkruan Manastirliu.

Ndërkohë ministrja e Shëndetësisë, ka njoftuar se brenda javës do të ketë një informacion lidhur me sigurimin e dozave të vaksinës nga aleanca Covax ku shumë shtete janë bërë bashkë duke financuar për të marrë vaksinën kundër covid-19.

“Do të vijojmë me vijimin e administrimit të vaksinës sipas planeve tona me Pfizer dhe marrëveshjen e Covax. Brenda kësaj jave do të kemi informacion për lëvrimin e vaksinave nga Covax. Pastaj do të vazhdojë vaksinimi sipas kategorive të ndara.” ka thënë Manastirliu.

Shqipëria ka paguar 3.99 milionë dollarë si formë parapagimi për vaksinën anti-Covid19, tek aleanca COVAX për të vaksinuar 570 mijë persona ose rreth 20% të popullsisë.

Aleanca COVAX u krijua në prill nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe në të marrin pjesë 180 shtete, përfshi të gjitha anëtaret e BE-së. COVAX ka si qëllim të bashkojë kapacitetet financuese dhe prodhuese për të siguruar një sasi sa më të madhe vaksinash për t’i shpërndarë ato mes vendeve anëtare të aleancës.

Covax ka bërë marrëveshje me 9 prodhues vaksinash, përfshi Moderna dhe AstraZeneca, që tashmë kanë prodhuar një vaksinë. Paraprakisht, COVAX ka përllogaritur se kostoja e një doze vaksine do të jetë 10.55 dollarë.