Ditën e sotme ka nisur vaksinimi i operatorëve turistik në qytetin e Durrësit. 

Punonjësit e sektorit të turizmit janë paraqitur në qendrën e vaksinimit të ngritur në sheshin “Liria” , për të marrë dozën e parë të Coronavac.

Operatorët turistikë shfaqen optimistë që iu është krijuar kjo mundësi që të mund të punojnë përgjatë sezonit të verës, pasi siç shprehen, sektori në të cilin operojnë ata është prekur shumë nga pandemia e Covid-19.

“Pjesa turistike është ajo që është prekur më së shumti nga situata e Covid-19. Jemi jashtëzakonisht shumë të lumtur që na është bërë e mundur që ne të vaksinohemi. Kjo është një përparësi për pjesën e turizmit.”

“Ne punojmë në shërbim dhe normalisht që duhet të vaksinoheshim, sepse jemi tërë kohën me klientët. Presim që të ndryshojë puna.”

“Shpresoj tani me vaksinimin të vijnë turistë, të punojmë.”, thonë ata.

Ky proces është ndjekur nga afër nga kryeministri Edi Rama i cili tha se në sezonin e verës turistët do të gjejnë hotele që do të jenë “Covid free”.

“Sot është e rëndësishme që të informohen edhe të tjerët. Qeveria është gati për të vaksinuar të gjithë personelin e strukturave hoteliere, duke filluar nga strukturat hoteliere të bregdetit sepse janë ato që do të kenë masën më të madhe të turistëve që do të presin dhe me këtë vaksinim japin një garanci më shumë për operatorët turistikë dhe turistët që do të vijnë të gjejnë hotele që janë “Covid free”, të lira nga Covid. Pastaj do vazhdojë edhe me të tjerët, por të gjithë të aplikojnë në Ministrinë e Turizmit dhe të futen në radhë për të marrë vaksinën”, tha Rama.

Ndërkohë Manastirliu u shpreh se të vaksinuarit do të kenë certifikatë vaksinimi individuale, por kjo do të jepet edhe për subjektet e hotelerisë.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama tha se punonjësit e radhës që do të vaksinohen janë punonjësit në fabrika dhe transportuesit e udhëtarëve.