24/01/2021 - 11:34
Dhjetëra kamionë në radhë për të kaluar traun e doganës në portin e Durrësit, paraditen e sotme.
Pamjet filmike që sjell operatori Denis Simaku tregojnë vargun e gjatë të kamionëve, që presin që nga ora 08.00 për të kryer procedurat doganore dhe për t’u imbarkuar më pas në tragetet e linjave me vendin fqinjë Itali.
Radhët e gjata janë veçanërisht torturuese gjatë ditës së mërkurë dhe të diel, duke shkaktuar pakënaqësi të shumta tek shoferët e kamionëve, që humbin orë e orë të tëra në pritje të tejzgjatura.
Nuk janë të pakta rastet kur radhët nisin që nga orët e para të mëngjesit për të përfunduar rreth orës 02.00 pas mesnate.
Vendimi i doganës për të kaluar në skaner çdo kamion që kalon përmes kësaj pike kufitare shkakton vonesa të shumta.
Në doganë është vetëm një skaner dhe autoritetet nuk procedojnë sipas analizës së riskut (duke përzgjedhur vetëm disa kamionë që do të kalojnë në skaner). Për pasojë, vargu i kamionëve në pritje arrin në disa kilometra.
/portali DurresLajm/