Lidhur me lajmin e publikuar në media për vdekjen e një pacienti me COVID-19, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon sqaron se 85-vjeçari me inicialet E.L., i cili ka ndërruar jetë në banesën e tij në Shkodër, nuk ka humbur jetën si pasojë e koronavirusit.

Sipas ministrise, i moshuari, i cili prej dy muajsh qëndronte i palëvizur për shkak të një frakture koksofemorale dhe vuante nga diabeti mellitus, sëmundje kardiake dhe hipertension, ka ndërruar jetë si pasojë e infarktit të miokardit ditën e sotme.

85-vjeçari ka qenë bartës i COVID-19, i konfirmuar gjatë hetimit epidemiologjik të kryer tek të gjithë anëtarët e familjes së tij në Shkodër, por ka qenë asimptomatik gjatë gjithë kohës, pra pa shenja të sëmundjes. 85-vjeçari ndiqej nga mjeku i familjes, i cili ka konfirmuar se shkaku i vdekjes është infarkti i miokardit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe siguron opinionin publik se do të informojë për situatën, sikundër ka bërë deri tani. Sqarojmë edhe një herë se 85-vjeçari, nuk është viktimë e COVID-19 në Shqipëri.