Kjo është shtëpia e familjes Haliti në Gjirin e Lalëzit, ku ata po qëndronin prej ditësh. Tre anëtarët e familjes ishin nga Gjilani i Kosovës, ndërsa kishin ardhur në Durrës për të pushuar. Ata ndërruan jetë pasi konsumuan kërpudha që i kishin mbledhur në pyll.

Mësohet se çifti Afrim dhe Ferdinaze Haliti si dhe nëna e Afrimit, Elfetja, pasi janë ndjerë keq kishin marrë mjekim fillimisht nga mjekët e zonës në Manzë dhe më pas janë kthyer në banesë.

Por gjendja e tyre është përkeqësuar dhe kanë njoftuar urgjencën në Tiranë. Kur ka shkuar urgjenca në kompleksin turistik të Gjirit Lalëzit ka konstatuar se ata ishin në gjendje të rëndë. Në situatë më kritike ishte e moshuara Elfete Halili, e cila kishte probleme me frymëmarrjen.

Ajo është marrë me barrelë së bashku me të birin Afrimin dhe janë vendosur në autoambulancë. Ndërsa gruaja, e cila ishte në gjendje pak më të mirë, për mungesë vendesh është vendosur në një nga karriget e personelit të ambulancës.

E moshuara mësohet se është vendosur në oksigjen që në ambulancë. Fillimisht është menduar që t’i nisin direkt për Tiranë, por duke pare gjendjen e tyre i kanë dërguar për ndihmën e parë në Spitalin Rajonal të Durrësit dhe pas mjekimit janë nisur drejt Tiranës.

Tre anëtarët e familjes ndërruan jetë në spital njëri pas tjetrit në harkun kohor të tre ditëve, 6-7-8 maj. Shkak për vdekjen e tyre dyshohet helmimi nga kërpudhat, të cilat ata i kishin mbledhur në pyll dhe konsumuar në shtëpi.

Pritet ekspertiza për të sqaruar çfarë ka ndodhur realisht me tre pushuesit. Ndërkohë policia ka proceduar penalisht për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”, mjekun Shyqyri Beqajn 54 vjeç dhe Jonuz Karajn, 60 vjeçar.