Një tragjedi ka ndodhur në familjen Haliti nga Gjilani i Kosovës, me banim në Gjirin e Lalëzit. Tre anëtarë kanë ndërruar jetë gjatë tre ditëve të fundit, ndërsa pista kryesore është ajo e helmimit si pasojë e kërpudhave të mbledhura në pyllin e Gjirit të Lalëzit.

Afrim Haliti 57 vjeç, bashkëshortja Ferzinaze 56 vjeçe dhe nëna Elfete 75 vjeçe ndërruan jetë në QSUT, ku ishin dërguar për mjekim mbrëmjen e datës 6 maj. Më herët atyre u ishte ofruar ndihma e parë në qendrën shëndetësore të Manzës. Sot djali i çiftit Haliti, në një deklaratë për mediat nga Kosova drejtoi gishtin drejt mjekëve të kësaj qendre, të cilët i akuzoi për mjekim të pakujdesshëm. Por kjo kundërshtohet nga dy nga mjekët që ofrojnë shërbim në këtë qendër.

Anesti Kamburi, mjek në qendrën shëndetësore të Manzës, deklaroi se protokollet mjekësore janë ndjekur me rigorozitet dhe shërbimi ka qenë mjaft korrekt. “Nuk besoj se kolegët kanë dhënë mjekim të gabuar. Të pritet autopsia”.

Mjeku tjetër veteran i kësaj qëndre shëndetësore, Bardhyl Belba, hodhi dyshime se vdekja nuk ka ardhur si pasojë e kërpudhave, pasi sipas tij nuk ka ndodhur asnjëherë më parë një gjë e tillë

Prokuroria e Durrësit pret analizat dhe përgjigjen e Institutit të Mjekësisë Ligjore për të zbardhur shkaqet e vdekjes. Ndërkohë policia ka proceduar penalisht për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”, mjekun Shyqyri Beqajn 54 vjeç dhe Jonuz Karajn, 60 vjeçar.