Gjykata e Durrësit e tha fjalën e saj të fundit duke i vënë “kapakun” atyre zërave që pretendonin se kreun e Bashkisë së Durrësit do e shikonin në bankën e të akuzuarve për punimet e projektit “Veliera”. Sot Gjykata e Durrësit ka pushuar çështjen në ngarkim të kryetarit të bashkisë Durrës.

Vangjush Dako u padit nga shoqëria civile mbi 18 muaj më parë për shpërdorim detyre.

Prokurori Edmond Kaloshi, pak ditë më pare, kërkoi mbylljen e hetimeve, pasi në dosjen “Veliera” nuk ka konstatuar shkelje penale.

Sipas organit të akuzës, kryebashkiaku Dako nuk ka shpërdoruar detyrën në zbatimin e projektit ashtu sikurse pretendonte shoqëria civile duke iu drejtuar gjykatës për pushim të hetimit. Mbyllja e hetimeve solli në vëmendje shoqërinë civile e cila nuk është pajtuar me vendimin gjyqësor.

Sazan Guri deklaroi para mediave se do të vijojë betejat në shkallët e tjera të gjyqësorit. Ndërkaq vijueshmëria mbi zbatimin e projektit "Veliera" vijon të mbetet pezull në pritje të vendimit nga Gjykata Administrative e Apelit Tiranë.

Punimet për zbatimit e projektit "Veliera" prej shkurtit të vitit 2017 vijojnë të mbeten të pezulluara në zonën arkeologjike A, në pritje të përfundimit të proceseve gjyqësore.

Bashkia ka fituar një betejë që e ka humbur shoqëria civile. Qytetarët dhe biznesi durrsak janë të humbur që nga koha kur projekti mbeti pezull.

K.H.