Drejtori i Sigurisë pranë Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Kosovë, Bedri Elezi në një intervistë për Abc News këtë mëngjes ka deklaruar se vëllai i Alvin Berishës, vogëlushit që është shpëtuar disa muaj më parë nga ky kamp famëkeq, është gjallë.

Sipas tij, Bunjamini rreth 4 vjeç është gjallë dhe është pranë një familje që po bëhet gati për t’u kthyer në Shqipëri. Elezi tha se ka shumë dyshime se përveç vëllait, gjallë të jetë edhe nëna e Alvin Berishës, e cila nga informacionet që kanë pas deri në mars ka qenë e plagosur dhe po merrte ndihmë mjekësore.

“Alvini i kishte shpëtuar një sulmi ajror nga forcat kurde, ku në makinë kanë qenë nëna e tij, njerku, vëllai Bunjamini. Nga informacionet e para u tha se kishte shpëtuar vetëm Alvini, por më pas pas komunikimeve ne arritëm të sigurojmë informacionet se nga ky operacion ka shpëtuar edhe vëllai i tij Bunjamini, i cili tashmë është pjesë e grupit të shqiptarëve që ptitet të sillen në Shqipëri. Bunjamini është djali i Afërdita Berishës e cila ishte martuar me një djalë nga Ferizaj i cili është vrarë nga një sulm ajror, në momentin që po përpiqeshin që ti bashkoheshin kampit Al Hol. Gjithashtu mendohet dhe ka dyshime se dhe nëna e Alvinit është plagosur rëndë dhe ndodhet në kampin e Al-Hol-it. Deri në fillim të marsin ne kemi pasur informacion dhe nëna e Alvinit ka qenë gjallë, por nuk dihet nëse ajo ka mundur që të mbijetojë, ndërsa vëllai i Alvinit është gjallë dhe pritet që të kthehet në Shqipëri. Unë di që familjarët e Afërditës jetojnë në Gjermani dhe kanë shprehur interesin e tyre, që sapo Bunjamini të kthehet në Shqipëri ta marrin atje”, është shprehur ai.