Ndonëse vendi ynë po përballet me momente të vështira për shkak të koronavirusit, dhuna në familje vazhdon të jetë fenomen shqetësues në familjet shqiptare.

Pak më herët “DurrësLajm” publikoi rastin e një gruaje të dhunuar nga bashkëshorti dhe vjehrra e saj në lagjen nr.13 në Durrës. Ajo përfundoi në spital, autorët në rajonin e policisë ndërsa dy të miturit të traumatizuar nga ajo çfarë ndodh në shtëpinë e tyre!

Shifrat e rasteve të dhunës në vendin tonë përgjatë muajit mars janë të larta dhe duket se qytetarët nuk bëjnë dot paqe brenda për brenda familjes as kur jeta kërcënohet nga një virus që ka shkaktuar mijëra viktima nëpër botë.

Të detyruar që të qëndrojnë në shtëpi si masë parandaluese e qeverisë për mospërhapjen e COVID-19, për arsye nga më të ndryshmet në shumë familje bashkëshortët rrahin njëri-tjetrin, prindërit-fëmijët apo fëmijët-prindërit.

Nga burimet zyrtare mësohet se nga data 1 deri më 31 mars janë evidentuar nga ana e policisë, gjithsej 245 raste të dhunës dhe krimeve të tjera të ndodhura në marrëdhëniet familjare.

Nga këto:

  • Janë trajtuar me kërkesë–padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes (UMM/UM), 141 raste
  • 89 raste janë proceduar sipas nenit 130/a të Kodit Penal dhe janë arrestuar 33 autorë
  • Janë evidentuar dhe proceduar 6 raste te shkeljes se UMM/UM.

Dhuna në familje fatkeqësisht vijon të mbetet një plagë e rëndë e shoqërisë shqiptare, ndërsa Durrësi më herët ka kryesuar listën e qarqeve me më shumë raste.

Por ndërsa ky fenomen vijon të jetë në rritje edhe sot kur jemi në gjendje lufte, shërbimet që marrin personat e dhunuar janë të pakta në vendin tonë, kurse pasojat në familjet durrsake kanë qenë jo pak herë fatale.