"Venë dhe verë" – festa lokale në Golem mblodhi bashkë dhjetra kantina të zonës së Shqipërisë së mesme dhe qindra turistë të cilët degustuan shijen e verës shqiptare.

Të pranishëm në këtë festë ishin, Prefekti i Qarkut, Roland Nasto, kryebashkiakja e Durrësit, Valbona Sako, kryetari i bashkisë së Kavajës, Redjan Krali, ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi, etj.

Klosi tha se të tilla aktivitete tregojnë se në Shqipëri mund të bëhet turizëm potencial, që prodhon ekonomi, para e punësim, por edhe oferta të ndryshme turistike. Ai apeloi tur operatorët që të shtojnë ofertën turistike duke përfshirë të gjitha festat lokale në paketat e tyre për turistët e huaj.

Kryebashkiakja e Durrësit theksoi se këto festa janë nisma që bëjnë ndryshimin vit pas viti në mënyrën sesi kemi zgjedhur të bëjmë turizëm në vendin tonë.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Kavajës u shpreh se kjo festë gjeneron pozitivitet te turistët ndaj do të mbështetet nga kjo bashki edhe në vitet e ardhshme.

“Venë dhe Verë Fest” e shndërroi pedonalen e Golemit në një hapësirë festive duke tërhequr turistët e shumtë që pushojnë në këtë zonë. Kantinat prezantuan produktet më të mira, të cilat u vlerësuan nga turistët e huaj, të surprizuar nga larmia e etiketave shqiptare dhe cilësia e verës së ofruar.