Një numër i madh banorësh janë sensibilizuar me banorët e pallatit 1062, në lagjen nr.7.

Prej mëngjesit të sotëm dhjetëra forca të Policisë Bashkiake dhe IMT-së së bashkisë së Durrësit, kanë rrethuar palltin dhe ju kanë kërkuar banorëve të lënë godinën në mënyrë urgjente.

Në krye të tyre ka qenë Arbër Braho nënkryetari i bashkisë, i cili ju tha banorëve të dalin jashtë shtëpive në mënyrë urgjente.

Një grua ju ka kërkuar punonjësve të shtetit të mos prishin pallatin plot me njerëz, por të shkojnë të prishin pallatin e saj që është i braktisur si pasojë e dëmtimeve të rënda. Ajo ju lutet inspektorëve por është e kotë.

“Hajdeni prisheni shtëpinë time, prishni pallatin tim te dyqani i Dylit, jo këtu duke nxjerrë jashtë banorët që s’kanë asnjë faj’‘, thotë ajo.

Banorët ju kanë kërkuar punonjësve një dokument për arsyen e daljes dhe të prishjes së pallatit të tyre, por veçse prezencës së tyre, punonjësit e shtetit nuk kanë sjellë asnjë letër, ndërsa ju kërkojnë të lënë banesat e tyre.

Kryetarja e bashkisë, Emirjana Sako zhvilloi një takim me një përfaqësi të banorëve të cilëve ju tha se vendimi për prishje është marrë nga Këshilli Bashkiak, dhe rindërtimi pritet të nisë së shpejti.  

”Do të kërkojmë që në të njëjtin vend të ndërtohet pallati e të strehoheni po aty. E kam bërë kërkesën drejtuar ministrit Ahmetaj. Kam kërkuar që pallati te Baronsi, pallati i VIP-ave dhe pallati ku banoni ju të jenë projektet e para me të cilat nis rindërtimi në Durrës nga tërmeti” u tha Sako banorëve.

Një pjesë e banorëve nisën të zhvendosen ndërsa një pjesë kërkojnë që bashkia të bëjë një marrëveshje përpara prishjes së pallatit, që banorët do të strehohen pikërisht në të njëtin vend me rindërtimin e pallatit të ri.

K.H.