Miratohen në unanimitet të plotë 9 pikat e rendit të ditës së mbledhjes së Këshillit Bashkiak Durrës. Në mbledhjen e zhvilluar në ambientet e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, këshilltarët për herë të parë që nga fillimi i pandemisë u mblodhën në një sallë duke respektuar rigorozisht protokollin e sigurisë, në kuadër të masave te marra kundër Covid – 19.

Me votat e 39 anëtarëve të pranishëm u miratuan të gjitha pikat e rendit të ditës, ndër të cilat ndihma ekonomike për rreth 100 familje në nevojë, buxheti shtesë i bashkisë në shumën rreth 532 milionë lekë të ardhura nga viti i kaluar, akordimi i shumës rreth 1 milion lekë të reja për blerjen e dy tuneleve dezinfektuese që do të vendosen tek bashkia dhe qendra kulturore “Aleksandër Moisiu”, miratimi i listës me 35 familje që do të përfitojnë bonusin e qirasë pas shembjes së banesës së tyre në dy muajt e fundit etj.

Të gjitha vendimet e miratuara:

  • Miratimi i familjeve përfituese te ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për bllok ndihmën ekonomike deri 6 % dhe fondi nga të ardhurat e bashkisë, për muajin qershor 2020
  • Miratimi i buxhetit shtesë të bashkisë Durrës për vitin 2020.
  • Miratim rezolute “mbi marrjen e masave të veçanta për shkak të situatës së krijuar si rezultat i pandemisë të shkaktuar nga covid-19, pёr parandalimin e dhunёs me bazё gjinore”
  • Miratimi i programit të punës së këshillit të bashkisë Durrës për periudhën korrik 2020 – dhjetor 2020
  • Miratimi i pakësimit të të ardhurave të vitit 2020 të bashkisë Durrës në shumën 750,000 lekë dhe kthimi i kësaj shume organizatës jofitimprurëse “World Vision Albania”
  • Miratimi i përdorimit të fondit prej 1’050’000 lekë pa tvsh, për blerjen e dy tuneleve dezinfektues, të cilët do të vendosen në hyrjen kryesore te bashkisë Durrës dhe qendrës kulturore “Aleksandër Moisiu”
  • Informim i këshillit bashkiak mbi “raportin e monitorimit të zbatimit të buxhetit të bashkisë Durrës të vitit 2019”.
  • Miratimi i kryerjes së shërbimit të pastrimit të njësisë administrative Sukth nga operatorët ekonomikë.
  • Miratimi i listës së familjeve përfituese të subvencionimit të qirasë të mbetura të pastreha si pasojë e shëmbjes së banesave të tyre në zbatim të vkb-së nr. 18 datë 23.04.2020, vkb-së nr.37 datë 14.05.2020, vkb-së nr.52 datë 25.06.2020 dhe vkb-së nr.54 datë 25.06.2020.