Numri i pushuesve në bregdetin e Durrësit ka ardhur në rritje gjatë ditëve të para të muajit gusht.

Qytetarë nga Shqipëria, trevat shqipfolëse të rajonit si dhe të huaj kanë zgjedhur të çlodhen për disa ditë në zonën turistike të Durrësit.

Të kënaqur nga ajo çfarë gjejnë në qytetin bregdetar, ata ju rikujtojnë institucioneve përkatëse që t’iu kushtojnë më tepër vëmendje hapësirave publike pasi sipas tyre, ka raste ku abuzohet me to.

Ndikuar nga pasojat që la tërmeti por edhe për shkak të situatës së vështirë që ka krijuar prej muajsh pandemia e koronavirusit, edhe vetë pushuesit nuk e kishin menduar se këtë verë do të vinin në plazh.

“Kam ardhur me motrën edhe vajzat e motrës, jemi në një dhomë të katra. Mirë po kalojmë, uji (deti) është i pastër.”, shprehet një zonjë nga Kosova.

Për të huajt, Shqipëria është shumë e bukur, ndaj ata nuk hezitojnë ta vizitojnë atë edhe në kohë pandemie.

“Me shumë mundësi do të rri një jave”, thotë i riu që ka udhëtuar nga Neë York-u në vendin tonë.

Shumë prindër preferojnë Durrësin për të kaluar ditët e tyre të pushimeve pasi cektina e bregut të këtij qyteti bën që ata t’i lejojnë fëmijët pa frikë të lozin me dallgët.