Banorët e pallatit 11-katësh “Desla” në lagjen nr.18 në Durrës, ku jetojnë 108 familje kanë protestuar paraditen e sotme para bashkisë së qytetit bregdetar.

Pas tërmetit, disa specialistë francezë e kanë cilësuar shkallën e dëmtimit si DS4, por askush nuk ka shkuar pranë qytetarëve me një vendim nëse do të shembet apo rikonstruktohet objekti 11-katësh.

Ndaj, ato kërkojnë një ekspertizë më të thelluar nga Instituti i Ndërtimit, për të përcaktuar përfundimisht se si do të procedohet më tej me pallatin, i cili ka pësuar dëme të rënda nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Ne vetë nuk jemi inxhinierë, por çfarë na kanë thënë ata që e kanë parë, duke filluar që nga ekipi francez që vuri në dukje problemin kryesor, diafragma që është në pjesën e poshtme të bodrumit duhet të kishte vauzhduar deri në taracë. Ndërkohë që pallati nuk ka asnjë lloj bërthame, siç është verifikuar nga një studio ligjore në Durrës.”

“Çfarë do të bëhet me atë pallat? Si do të procedohet me atë pallat? Janë shumë pikëpyetje që ne kemi si banorë dhe sot e kësaj dite nuk kemi asnjë përgjigje.”

“Tani unë dua të bëj një pyetje publike: Kujt i intereson kjo heshtje? Se aty kushdo që do të vijë i shikon dëmtimet, problematikat që ka. Pse duhet të rrimë ne lart e poshtë? Nuk dimë asnjë lloj gjëje se çfarë do të bëhet. Bashkia është mbrapa mund të dalë, mund t’ua shpjegojë edhe ju, me atë rast edhe ne jemi të qetë dhe dimë çfarë bëjmë.”, shprehen banorët për mediat.

Ata pohojnë se kanë përfituar bonus qiraje në mënyrë sistematike por kërkojnë të dinë fatin e pallatit të tyre.