Vidhte makina luksoze në Elbasan dhe i çonte në Durrës, prangoset nga Policia Rrugore.

Vihet në pranga pas 30 minutash ndjekjeje nga Policia Rrugore e Elbasanit, 30-vjeçari nga Durrësi me iniciale A.P.

Bllokohet mjeti me të cilin tentoi të largohej, pasi e kishte vjedhur në Elbasan. 30-vjeçari, rezulton autor i vjedhjes edhe të një tjetër mjeti në Elbasan, në ditët e para të këtij viti.

Policia Rrugore e Elbasanit, pas njoftimit të marrë se “Benz ML”, prodhim i fundit ishte vjedhur në Elbasan, tek Ura e Shkumbinit, ka organizuar patrullat që kryenin shërbim në akset rrugore dhe janë vënë në kërkim të mjetit, duke e konstatuar mjetin që po lëvizte me shpejtësi në drejtim të Bradasheshit, për t’u larguar në drejtim të Durrësit.

Ndonëse tentoi që t’i shpëtonte policisë, i riu u arrestua në flagrancë. 30-vjeçari në lagjen “Shënkoll”, në orët e mbrëmjes ka vjedhur mjetin tip “Benz ML”, në pronësi të shtetasit E. Ç.

Gjithashtu, nga veprimet e kryera nga specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Elbasan, dyshohet se ky shtetas është autor edhe i vjedhjes së automjetit tip “Benz”, në pronësi të shtetasit A.M., banues në Elbasan, vjedhje e ndodhur në ditët e para të këtij viti.

Vijojnë veprimet në bashkëpunim me DVP Durrës e Tiranë, pasi ky shtetas dyshohet se ka vjedhur edhe disa mjete të tjera.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”.