Në zbatim të urdhrit të qeverisë për mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga infeksioni i shkaktuar nga COVID-2019, prej datës 9 mars Bashkia e Durrësit me të gjitha strukturat e veta është duke punuar me intensitet maksimal në zbatimin e planit të masave që janë përcaktuar.

Ndërmarrjet e Bashkisë së Durrësit kanë kryer dezinfektimin e rrugëve dhe hapësirave publike.

Po kështu procesi i  dezinfektimit vijon në të gjithë institucionet publike si, prefektura, institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale, pallati i kulturës e ai i sportit, bashkia etj, ndërkohë që po kryhet dezinfektimi i institucioneve shëndetësore e arsimore si spitali, qendrat shëndetësore, shkollat, kopshtet e çerdhet.

Bashkia e Durrësit është e angazhuar maksimalisht në zbatimin rigoroz të këtij plani masash dhe i bën thirrje qytetarëve të Durrësit të tregohen të kujdesshëm, të zbatojnë rregullat e higjenës personale dhe të gjithë udhëzimet e mjekëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë.