Disa herë kanë tentuar protestuesit e opozitës të thyejnë dyert e Kryeministrisë por sapo janë afruar, Garda e pozicionuar brenda Kryeministrisë dhe në tarracë iu ka hedhur gaz lotsjellës.

Ndonëse kanë kaluar 4 orë nga nisja e protestës, qytetarët vazhdojnë të qëndrojnë të shumtë para Kryeministrisë dhe herë pas here mësyjnë drejt godinës. E menjëhershme është edhe përgjigjja e gardës, e cila hedh gaz lotsjellës. Episod ky i përsëritur që prej herës së parë kur u hodh gaz.

Opozita zhvillon sot protestën që sipas organizatorëve, ka për qëllim largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore, që do e çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.