Drejtuesi i Prokurorisë së Lushnjës, Çlirim Shahini nuk ka kaluar Vetingun. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar të martën drejtuesin e Prokurorisë së Lushnjës, Shahinin.

Trupa gjyqësore e përbërë nga Suela Zhegu, Brunlida Bekteshi dhe Xhensila Pine, pas hetimit të zhvilluar ndaj tij vendosën shkarkimin e prokurorit Shahini, i cili kishte dhe një karrierë të gjatë në organin e akuzës.

Ai fillimisht ka punuar si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai është emëruar prokuror në Sarandë në vitin 2004 dhe e ka ushtruar funksionin atje deri në vitin 2016, ku me dekret të Presidentit të Republikës u transferua si drejtues i Prokurorisë së Lushnjës.

Prokurori Shahini deklaroi një objekt dy katësh + papafingo në Bashkinë e Sarandës, në vlerën e 10.5 milionë lekëve. Ai kishte deklaruar të ardhurat nga pagat dhe një hua në vlerën e 35 mijë eurove të marrë në vitin 2014, me afat shlyerje 10 vjet. Nga analiza financiare, Komisioni ka konstatuar pamjaftueshmëri financiare të huadhënësit të 35 mijë eurove, që kishin shërbyer për shlyerjen e shpenzimeve për ndërtimin e banesës në Sarandë.