Viti i ri shkollor 2019-2020 nis pas rreth 3 javësh dhe gjatë kësaj periudhe, bashkia e Durrësit, së bashku me drejtoritë në varësi, është duke punuar fort për t’u garantuar fëmijëve të sistemit parashkollor dhe nxënësve të sistemit parauniversitar kushte normale për zhvillimin e procesit mësimor.

Investimet në arsim kanë qenë ndër prioritetet e bashkisë në 3 vitet e fundit. Pas rikonstruksionit të plotë të 5 çerdheve, fokusi është përqendruar tek kopshtet dhe shkollat, një pjesë e të cilave i janë nënshtruar rikonstruksionit, ndërsa në të tjera ndërhyrjet do të bëhen në vitin 2020.

Përgjegjësja e sektorit të arsimit në bashki, Nikoleta Rusha bën të ditur për DurrësLajm se punime janë duke u kryer në disa shkolla dhe kopshte, ndërkohë që lajmi i mirë është se shkolla e muzikës “Jan Kukuzeli” mund të jetë gati në shtator, megjithëse jo i gjithë kompleksi, por vetëm godina qendrore. Në shkollën “Marie Kaçulini” do të vendoset sistemi i ngrohjes dhe ftohjes si dhe do të ndërtohet rrethimi, për të qenë gjithçka gati në 16 shtator.  Gjithashtu gati do të jetë edhe gjimnazi “Leonik Tomeo”, i cili u rikonstruktua me një fond me vlerë rreth 82 milion lekë. Në kopshtin “Parafabrikat” ka përfunduar rikonstruksioni, ndërsa në kopshtin “1 Maji” punimet kanë nisur këto ditë.  Për të përballuar kërkesat në rritje për regjistrimin e fëmijëve në kopshte shtetërore, në shumë prej tyre janë shtuar kapacitetet dhe 7 prej tyre kanë kaluar në sistemin me drekë, ku qëndrojnë rreth 900 fëmijë. Gjatë 2019-2020 do të rikonstruktohen edhe kopshtet "Neim Babameto", "Met Hasa" dhe do të ndërtohet kopsht i ri në fshatin Gjuricaj, Ishëm. 

Ndërkohë, 28 milionë lekë të akorduara nga bashkia e Durrësit do të përdoren për blerje pajisjesh për shkollat dhe kopshtet që po rikonstruktohen, ndërsa po punohet me qendrën arsimore për evidentimin e të gjitha mangësive të vogla që mund të kenë shkollat dhe kopshtet për t’i zëvendësuar ato.

Në shkollat ku po kryhet rikonstruksioni, punimet janë duke u bërë me intensitet të lartë. Në 16 shtator nuk do të jenë gati shkollat 9-vjeçare “Jusuf Puka”, “Hajdar Dushi”, “Artan Zeka” në Qerret, shkolla e Hamallajt, Perlatit, Hidrovorit dhe “Fshat Rinia”. Në dy shkollat brenda qytetit të Durrësit, krahas rikonstruksionit do të bëhen edhe shtesa anësore, ndërsa në shkollat në njësitë administrative bëhet fjalë për ndërtim të ri.

Krahas këtyre investimeve, ndërhyrje të tjera në shkolla pritet të realizohen në muajt e mbetur të 2019 dhe në vitin 2020.

Kështu, shkollat “Vëllezërit Haradinaj” në Rrashbull, “Shaqe Mazreku” dhe “Qemal Mici” do të rikonstruktohen në të ardhmen. Aktualisht, çdo gjë është në fazën e projektimit. Rikonstruksionot dhe rikonceptimit të konviktit do t’i nënshtrohet edhe shkolla e mesme sportive “Benardina Qerraxhia”. Tenderi për këtë investim është anuluar dhe procedura do të kryhet nga fillimi.

Përgjegjësja Rusha bën të ditur gjithashtu se po zhvillohen komunikime të vazhdueshme me Drejtorinë Arsimore për të sistemuar të gjitha detajet lidhur me regjistrimin e nxënësve dhe fëmijëve të ciklit parashkollor në shkolla dhe kopshte të tjera, deri në përfundimin e punimeve në objektet që i janë nënshtruar rikonstruksionit.

Pikërisht për të garantuar nisjen mbarë të vitit të ri shkollor, Prefekti i Durrësit, Roland Nasto, zhvilloi një takim me drejtues të bashkive të qarkut dhe të DAR dhe njëkohësisht njoftoi se nga data 1 shtator ai së bashku me stafin e tij do të inspektonin vetë të gjitha shkollat për të parë nga afër kushtet në të cilat do të zhvillohet mësimi.

Me ndarjen e re territoriale, bashkia e Durrësit administron 121 institucione të arsimit parashkollor dhe parauniversitar.

M.B.