Në Gjykatën e Durrësit ka nisur seanca për dhënien e masës së sigurisë ndaj 3 të arrestuarve për vjedhjen e zyrave të Prokurorisë, ngjarje kjo e ndodhur ditën e enjte më 24 maj.

Në sallën e gjyqit ku nisi seanca në orën 10:30, janë të pranishëm edhe vetë tre të akuzuarit, njëri prej të cilëve roja privat, dhe dy të tjerët që akuzohen se kanë kryer vjedhjen në zyrat e prokurorëve.

Të akuzuarit janë:

• Nias Lena 56 vjeç, banues në Durrës, roje private, i caktuar me shërbim në orarin kur janë vjedhur zyrat e Prokurorisë;

• Artur Isa 49 vjeç, banues në Sukth i Ri Durrës, me precedentë penalë të mëparshëm.

• Besnik Bushi 54 vjeç, banues në Durrës, me precedentë penalë të mëparshëm.

Artur Isa dhe Besnik Bushi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se janë autorë të vjedhjes së zyrave të Prokurorisë Durrës. Ata dyshohet se kanë hyrë në zyrat e prokurorisë dhe kanë vjedhur, dëmtuar dokumentet dhe kanë ndërhyrë në sistemin kompjuterik.

Sipas Prokurorisë, autorët akuzohen se “me sende të forta kanë hapur derën e Zyrës së Serverit ku është konstatuar se janë dëmtuar dhe marrë pajisje elektronike që regjistrojnë kamerat e sigurisë, etj. Po kështu është konstatuar se këto persona kanë hapur me forcë edhe zyrën e një prokurori dhe një zyrë tjetër të oficerëve të policisë gjyqësore”.

Prokuroria sqaroi se ngjarja e regjistruar gjatë orëve të vona të natës, por e konstatuar në orën 06:30 të mëngjesit të së enjtes, ka ndodhur kur Godina e Prokurorise ruhej nga punonjësit e Policisë Private, ShPSRF.