Tani që procesi i numërimit në qarkun Durrës ka përfunduar dhe pritet të nisë numërimi i votave që kanë marrë kandidatët për deputetë mund të bëhet një analizë e shifrave që prodhoi procesi.

Ajo që bën përshtypje është numri i madh i votave të pavlefshme, plot 7808 të tilla.

Ndërsa një numër i konsiderueshëm votash ka shkuar për partitë e vogla, votat e të cilëve janë vota të shkuara dëm, pasi nuk i shërbejnë asnjërit prej subjekteve politike kryesore.

Jo pak surprizon partia SocialeDemokrate e Tom Doshit, që ka mbledhur 665 vota, NismaThurje# 667 vota apo partia e Arjan Galdinit “Lëvizja e re” me 419 vota.

Aspak surprizë nuk ka qenë Bindja Demokratike, që pavarësisht se po hyn për herë të dytë në një garë elektorale, pas zgjedhjeve lokale të vitit 2019, nuk arrin të shkojë më shumë sesa 328 vota.

Madje dhe partia e Jozefina Topallit, e krijuar vetëm pak kohë para zgjedhjeve, ka grumbulluar më shumë vota sesa BD. “Lëvizja për Ndryshim” e Topallit ka grumbulluar 335 vota.  Një tjetër demokrat, Myslim Murrizi, që në këto zgjedhje mori pjesë me partinë Lëvizja Demokratike Shqiptare ka mbledhur 337 vota.

Ndërsa koalicioni ABEOK i drejtuar nga konservatori Kujtim Gjuzi nuk ka shkuar më shumë sesa 88 vota, një rezultat plotësisht i papërfillshëm dhe qesharak. Është pikërisht ky koalicion që ka siguruar numrin më të vogël të votave mes subjekteve politike dhe koalicioneve që morën pjesë në këto zgjedhje.

Votat e të gjitha partive të vogla janë në total 3212. Nëse llogarisim këto si dhe votat e shpallura të pavlefshme (7808) bëhen plot 11020.

LSI e cila u rendit e treta, mori 9480 vota dhe nuk prodhoi dot asnjë mandat.

Votat e LSI-së që nuk u përkthyen në mandate, votat e shpallura të pavlefshme dhe ato që morën partitë e vogla në Durrës kapin shifrën 20.500 vota.

Duket e frikshme që votat e plot 20 mijë banorëve të qarkut Durrës nuk përkthehen dot në mandate deputetësh!!!

M.B.