Tetë vjet pas ngjarjes së rëndë që tronditi Durrësin, ku tre persona u vranë në një lokal, (17-vjeçari Ani Curri, Luan Curri dhe Edmond Shemsi), vazhdon ende kalvari në dyert e gjykatave, ku autori i vrasjes së trefishtë, Arjan Çelaj, i dënuar me burgim të përjetshëm, kërkon me ngulm pafajësinë e tij.

Megjithëse janë dhënë 3 vendime gjykatash, ajo e Shkallës së Parë dhe e Apelit, e sërish një vendim i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, që e dënojnë Çelajn me burgim të përjeshtshëm pasi provohet se është autori i masakrës së trefishtë të Durrësit, mes të cilëve edhe një 17-vjeçar të pafajshëm, ai kërkon të dalë në liri.

Mbi shtetasin Arjan (Edison) Çelaj rëndojnë dy akuza: ajo e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave të kryer në bashkëpunim dhe Armëmbajtjes pa leje”, ku për këtë të fundit, Çelaj është dënuar me katër vite burg dhe në bashkim të dënimeve në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, përfundimisht i pandehuri ka marrë dënimin me burgim të përjetshëm.

Ndërkohë, të enjten më datë 19 korrik 2018, në Gjykatën e Apelit Durrës pritet të mbahet seanca gjyqësore në lidhje me kërkesën për pafajësi që ka paraqitur Arjan Çelaj, i cili pretendon të lirohet, pavarësisht se ka marrë 3 jetë njerëzish, dhe kjo është e provuar katërcipërisht.

Pas 6 seancave të zhvilluara në Gjykatën e Apelit që prej datës 15.5.2018, trupi gjykues me relator Arben Vrionin dhe gjyqtarët Desart Avdulaj e Valbon Çekrezi, pritet të dalin me një vendim pas dy ditësh për vrasësin e trefishtë.

Tri vendime gjykatash: burg përjetë për autorin

Tri vendime gjykatash të dhëna nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, Gjykata e Apelit Durrës dhe sërish Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës (pas rekursit në Gjykatën e Lartë), e kanë shpallur fajtor Çelajn për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” të kryer në bashkëpunim, me pasojë vdekjen e shtetasve Luan Curri, Ani Curri dhe Edmond Shemsi, si dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të municionit” të parashikuara respektivisht nga neni 76/dh, në lidhje me nenin 25 dhe neni 278/2 të Kodit Penal.

Vendimi

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin penal nr.797 datë 14.12.2011, ka vendosur:

-Deklarimin fajtor të pandehurit Arjan Çelaj për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, në dëm të shtetasve Luan Curri, Ani Curri dhe Edmond Shemsi, parashikuar nga neni 79/dh i Kodit Penal dhe, në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

-Deklarimin fajtor të pandehurit Arjan Çelaj për kryerjen e veprës penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake, parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal dhe, në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 4 (katër) vjet burgim.

-Në bashkim të dënimeve, në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, dënimin përfundimisht të pandehurit Arjan Çelaj me burgim të përjetshëm.

Pasi ka ankimuar vendimin në Apel, një vit më vonë Gjykata e Apelit Durrës ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke e dënuar përfundimisht me burgim të përjetshëm.

Vendimi

Gjykata e Apelit Durrës me vendimin nr. 306, datë 30.05.2012, ka vendosur:

– Lënien në fuqi të vendimit penal Nr. 787 (11-2011-6321), datë 14.12.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.

*Kundër këtij vendimi, më datë 25.06.2012 ka paraqitur rekurs i gjykuari Arjan Çelaj nëpërmjet av.Arian Salati dhe ka kërkuar: “Prishjen e vendimit Nr.306, datë 30.05.2012 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe të vendimit nr.797, datë 14.12.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës”.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, bazuar në përcaktimet e nenit 441 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi prishjen e vendimit nr. 306, datë 30.05.2012 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe të vendimit nr.797, datë 14.12.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe kthimin e akteve për rishqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës me tjetër trup gjykues.

Vendimi

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendim nr. 328 datë 26.1.2018 vendosi:

-Deklarimin fajtor të të pandehurit Arjan Çelaj për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, në dëm të shtetasve Luan Curri, Ani Curri dhe Edmond Shemsi, parashikuar nga neni 79/dh i Kodit Penal dhe, në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

-Deklarimin fajtor të pandehurit Arjan Çelaj për kryerjen e veprës penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake, parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal dhe, në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 4 (katër) vjet burgim.

-Në bashkim të dënimeve, në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, dënimin përfundimisht të pandehurit Arjan Çelaj me burgim të përjetshëm.

Si ndodhi masakra e trefishtë

Ngjarja e rëndë është regjistruar mbrëmjen e datës 27.01.2010, në lagjen nr. 9 të qytetit të Durrësit, kur shtetasi Ani Curri, 17 vjeç, ka qenë duke qëndruar në lokalin në pronësi të babait të tij. Në të njëjtin ambient, në një tavolinë aty afër, ka qenë duke qëndruar edhe xhaxhai i tij Luan Curri, dhe shtetasi Edmond Shemsi. Ata po shikonin ndeshjen që po shfaqej në atë kohë në televizorin e lokalit.

Rreth orës 22:30 të mbrëmjes, pranë lokalit është afruar një motor me të cilin udhëtonin 2 persona, një në timon në drejtim të motorit dhe një tjetër në sediljen pas drejtuesit të motorit, i cili dyshohet se ka qenë i gjykuari Arian Çelaj.

Sipas organit të akuzës dhe gjykatave të faktit, rezulton se kur kanë arritur pranë lokalit, Çelaj ka zbritur nga motori është drejtuar për në brendësi të lokalit, ku me të hyrë brenda, ka nxjerrë armën tip automatik dhe ka qëlluar jo me breshëri, por me qitje një nga një të fishekëve në drejtim të viktimave: minorenit Ani Curri, Luan Curri, dhe Edmond Shemsi, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

(Në foto viktima, Ani Curri 17 vjeç)

Ngjarja mori përmasa akoma edhe më tragjike për shkak se nga kjo vrasje makabre, mbeti i vdekur dhe një 17-vjeçar i pafajshëm, i cili atë natë po shihte ndeshje futbolli, që fatkeqësisht rezultoi të ishte e fundit. Ani Curri ishte nxënës në vitin e katërt në shkollën e mesme “Gjergj Kastrioti” dhe atë vit po përgatitej për të dhënë provimet e maturës, por çdo ëndërr e tij u pre në mes, për shkak se qëlloi të ndodhej në vendin dhe kohën e gabuar. Teksa ai tretet në dhe prej 8 vitesh, vrasësi që i mori jetën atij, sot kërkon të dalë e të shijojë lirinë.