Avokatët në Elbasan kanë ndërprerë shërbimet me Gjykatën në shenjë proteste pas vrasjes së avokatit Ravik Gurra. Ata dënojnë aktin kriminal të vrasjes së kolegut të tyre. Gjithashtu avokatët do të vendosin këtë të hënë se për sa ditë do të bojkotojnë proceset gjyqësore.

Ravik Gurra humbi jetën mbrëmjen e 22 Marsit pasi u qëllua me armë zjarri në një lokal nga një person i maskuar. Ai njihet si avokati, i cili ndër vite ka përfaqësuar në gjykatë shumë nga “të fortët” e botës së krimit.

Tre janë çështjet më të forta që ka mbrojtur. Bëhet fjalë për grupimin “Hakmarrja për drejtësi”, Emiljano Shullazin dhe Endrit Zelën, si dhe disa nga anëtarët e një prej grupeve kriminale në qytetin e Elbasanit. Së fundmi avokati kishte marrë nën mbrojtje Gjergji Kohilen dhe Sokol Boden policët e Vlorës që janë në arrati, pjesë e dosjes Tahiri.

Kolegë të tij janë shprehur për ABC News se Ravik Gurra nuk u kishte shprehur ndonjëherë ndonjë shqetësim për jetën e tij. Miqtë e Gurrës hedhin dyshime se vrasja është më shumë një mesazh që mund t’u jetë dërguar nga vrasësit e personave të afërt me çështjen që mbulonte Gurra, se sa një implikim i tij direkt në afera./abcnews.al