Pronari i një lokali në fshatin Goriçaj të Divjakës ka vrarë me armë gjahu shtetasin A.Ll, 42 vjeç, banues në të njëjtin fshat.

Policia bën me dije se 42-vjeçari ndërroi jetë rrugës për në spital, ndërkohë që uniformat blu kanë bërë të mundur arrestimin e autorit, shtetasit Petrit Toromëni, edhe ky 42 vjeç, pronari i lokalit ku ka ndodhur vrasja.

Mësohet se viktima ishte problematik dhe kishte pirë në lokal dhe se dyshohet se më pas kishte dashur të përdhunonte gruan e pronarit dhe ky i fundit e ka vrarë me armë gjahu.

Policia tha në një njoftim për shtyp se dyshohet se vrasja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit për motive të dobëta.

Po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.

Krimi u regjistrua rreth orës 23:40 të së hënës.