"Shkodra është zhytur nga një mjegullnajë e zezë, ku krimi, korrupsioni, vjedhja, fajdet kanë për qëllim të bëjnë ligjin e t’ia ndryshojnë identitetin këtij qyteti, prandaj e kemi për borxh kombëtar e moral t’i khejmë vlerat e besimit".

Me këtë mesazh ju drejtua besimtarëve myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, gjatë inaugurimit të një xhamie të re në këtë qytet, tek ura e Bunës.

"Sot kur Shkodra është përfshirë prej një mjegullnaje të zymtë. Ku era e krimit, korrupsionit, mungesës së përgjegjësisë, vjedhjes, shthurjes, përhapjes së fajdeve dhe kamatës, tradhëtisë dhe pabesisë, gënjeshtrës dhe mashtrimit, tendencave përherë në rritje të denigrimit të rinisë dhe zhveshjes së saj nga besimi dhe tabani i familjes, vlerave kombëtare dhe qytetarisë tradicionale, kanë për qëllim të bëjnë ligjin dhe ti ndryshojnë fytyrë dhe identitet këtij vendi. Ne e kemi për borxh moral fetar dhe kombëtar ndaj hakut të tokës sonë të shtrenjtë që të kthehemi përherë e më shumë nga vlerat e fesë dhe besimit tonë. Larg besimit dhe vlerave të tij ky vend nuk ka të ardhme."

Për Sytarin vitet e errëta të komunizmit lanë gjurmë të pashlyera në historinë e Shqipërisë, ku goditjen më të fortë e patën besimet fetare dhe prijësit e tyre.

Ndërsa kreu i komunitetit mysliman, Skënder Bruçaj, e theksoi me forcë faktin se të marrësh pjesë në inaugurimet e xhamive që bëhen me donacione të shqiptarëve, është një detyrim i dyfishtë.

U zgjodh 16 nëntori, dita kur 28 vite më parë në Shqipëri shënoi rikthimin e lirisë së besimit me faljen në xhaminë e Plumbit në Shkodër, për të inauguruar përfundimin e punimeve të xhamisë së re të urës së Bunës.