Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda rrëzon dënimin me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit, i akuzuar për vrasjen e katër efektivëve të policisë në vitin 2009 pranë plazhit "Iliria" në Durrës. Pak kohë më parë ishte Gjykata e Lartë që ktheu dosjen për rigjykim. Gjykata e shkallës së parë për Krimet e Rënda e pati dënuar Dritan Dajtin me burgim të përjetshëm.

Por me vendimin e sotëm të Apelit, ku është pranuar kërkesa për gjykim të shkurtuar, dënimi i përjetshëm bie dhe Dajti dënohet përfundimisht me 25 vite burg. 

Dritan Dajti prej vitit 2009 qëndron në paraburgim, ndërsa seancat në ngarkim të tij janë zvarritur vazhdimisht. Teksa ka kaluar 10 vite në qeli që prej arrestimit nga policia për vrasjen e katër efektivëve specialë të cilët shkuan për ta arrestuar, Dritan Dajtit i mbetet të kalojë pas hekurave edhe rreth 15 vite burg. 

Ishte gushti i vitit 2009-të kur një operacion i fshehtë i Forcave Speciale kishte për synim prangosjen e Dritan Dajtit ndaj të cilit rëndonin disa akuza.