Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj u ka dhënë mesazhe të qartë drejtuesve të Policisë së Shkodër, gjatë takimit mbi analizën e punës së këtij institucioni.

Ai u bëri të qartë forcave policore që të godasin grupet kriminale dhe jo qytetarët e thjeshtë që mund të kapen në flagrancë duke ndërtuar çati, pa marrë leje.

“Janë 4-5 grupe të rëndësishme kriminale që duhen goditur. Mos u merrni me hallexhinjtë që vendosin nje çati. Bosët e krimit janë vërdallë dhe ata duhen goditur. Bosët e krimit nuk duhen falur për asnjë arsye. Ai që përmend emrin tim të goditet i pari. Dua një integritet nga të gjithë policët, nga shefat deri te polici më i thjeshtë, të mos ketë një sjellje harbute me qytetarët. Bëni kujdes me Vettingun, nuk do t’i shpëtojë asnjë. Tolerenca ndaj krimit do të jetë 0. Kërkoj një korrektësi maksimale dhe të goditen ata që cilësohen si të fortë. Nëse marr vesh se ka tolerime për ndërtime të mëdha pa leje, përfshirje në lejimin e trafiqeve të drogës të policisë do jem unë i pari që s’do lejoj dhe do përballeni me ligjin. Fytyra e policisë së shtetit duhet të ndryshojë totalisht”, tha Xhafaj.