Kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, është kallëzuar penalisht nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit për “Shpërdorim Detyre”.

Zyra e shtypit të IKMT-së tha në një njoftim për shtyp se përgjatë një kontrolli të ushtruar në IMT e Kamzës janë vërejtur mosveprime nga ana e kryeinspektorit dhe inspektorëve të këtij institucioni, që përbëjnë kundërvajtje penale të parashikuara në ligj.

Nga 89 vendime për prishje objekti, mes të cilave vetëm 48 në periudhën maj-qershor të këtij viti, nuk është ekzekutuar asnjë. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të kryeinspektorit drejtuar kryetarit të bashkisë si organi epror, për sigurimin e mjeteve për ekzekutimin e këtyre vendimeve nga ana e kryebashkiakut nuk është ndërmarrë asnjë veprim.

IKMT-ja thotë se i çuditshëm është fakti se pjesa më e madhe e vendimeve për prishje objekti janë marrë në periudhën parazgjedhore, fakt që ngre dyshime të arsyeshme se janë përdorur si mjet presioni apo favorizim personash me qëllim përfitimi elektoral.

Për këto shkaqe, IKMT ka kërkuar nga prokuroria e Tiranës, fillimin e procedimit penal për Xhelal Mziun, kryetar i bashkisë Kamëz, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.