Zamir Mehja, bir i një punonjësi të hershëm portual, nuk i ka mbushur ende të 50-at, por në portin e Durrësit e konsiderojnë si një nga elektrovinçierët më të vjetër.

Në 1988 ai ishte vetëm 16 vjeç, kur filloi punën në skuadrat e ngarkim-shkarkimit në portin më të madh të vendit, ndërsa 5 vjet më vonë fitoi patentën e drejtimit të e/vinçit.

Tashmë që ka një përvojë gati 30-vjecare, ai mban mend mjetin e parë që ka drejtuar atë me nr 34, e më pas e/vinçat nr 27, 29 , 13, 19 etj.

Ngarkim-shkarkimi i disa anijeve të mëdha, që mund të qëndronin vetëm në radën portuale, ka qenë një mision i vështirë” – kujton Zamir Mehja, duke shtuar se bashkë me kolegët Zef Frroku, Kujtim Xhafa, Arjan Bleta, Dolor Goga, etj., ata punuan me ndihmën e vinçave të bordit dhe përpunuan 10 anije të tonazheve të mëdha.

Mbiemri Mehja nuk është i panjohur në kalatat e portit.

Mustafai, babai i Zamirit ka ushtruar të njejtën detyrë si elektrovinçier për 37 vjet.

“Unë jam rritur me erën e detit dhe të mallrave, që kur isha 5-6 vjeç dhe kur gjumi më zinte në kabinën e babait, mbi e/vinç“ – kujton Zamiri, i cili tashmë ka familjen e tij të vogël, me dy vajzat që kanë përfunduar ciklin e studimeve të larta dhe të mesme, si dhe djali i vogël 13-vjeçar, i cili kush e di, në të ardhmen mund të bëhet elektrovinçier, si i ati.