Problemet e pronësisë vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura në vendin tonë, 27 vite pas vendosjes së demokracisë.

Në jo pak raste, njerëzit kanë bërë vetëgjyqësi, ose në raste të tjera janë sorrollatur dyerve të gjykatave duke kërkuar për vite me rradhë rikthimin e pronës.

Durrësi është një nga qytetet që i ka më të mprehta këto probleme, nisur edhe nga fakti se përgjatë shumë viteve banorë nga zona të ndryshme të vendit, nga jugu në veri u shpërngulën për t’u vendosur në qytetin bregdetar.

Por edhe tani, kur duket se të gjitha tokat janë zënë dhe mbeten për t’u zgjidhur vetëm problemet e pronësisë që ende nuk kanë marrë zgjidhje, vazhdojnë të regjistrohen tentativa për të pushtuar sipërfaqe toke.

Në 24 orët e fundit, policia e Durrësit ka regjistruar dy denoncime për zaptime tokash dhe bëhet fjalë për sipërfaqe të konsiderueshme, mbi 1000 metra katrorë.

Rasti i parë është regjistruar në lagjen nr.1 të qytetit të Durrësit.

“Shtetasi E. Sh, vjeç 26, banues në Durrës, në lagjen nr. 1, i ka pushtuar 1180 m² sipërfaqe toke shtetases E.P., vjeç 72, banuese në Tiranë”,- thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë, rasti i dytë ka ndodhur në Shkozet, ku shtetasi Xh.P, vjeç 51, banues në Durrës, në lagjen nr. 14, ka zaptuar 1480 m² tokë në pronësi të shtetasit S.M vjeç 27, banues në Durrës.

Të dy shtetasit akuzohen për veprën penale “Pushtim toke”, ndërkohë që policia ka përcjellë dosjen në Prokurorinë e Durrësit për të nisur hetimet.