E pati paralajmëruar Partia Demokratike, por ndodhi sot në Has. Deputeti dhe anëtari i Partisë Socialiste Gafur Mazreku, që plagosi në vitin 1997 në mes të Parlamentit shqiptar Azem Hajdarin, duke shënuar kështu një ngjarje të paprecedentë dhe të padëgjuar më parë është shpallur qytetar nderi i “Hasit” (pas vdekjes).

E gjithë ngjarja merr përpasat e një skandali, pasi të shumta janë pikëpyetjet se si një njeri i dënuar me burg mund të marrë një vlerësim të tillë. “BalkanWeb” ka mundur të sigurojë edhe vendimin me të cilin Bashkia e Hasit propozonte shpalljen “Qytetar Nderi” të Gafur Mazrekut.

Aty shkruhet ndër të tjera se ai duhet të dekorohet për “kontributin e dhënë në ushtrimin e detyrës së besuar nga populli i tij për pushtetin vendor, kontribut i përçuar jo vetëm për popullin e zonës së tij, por për mbarë popullin e Hasit”.

vendimi keshilli bashkiak Has

Ndërsa motivacioni i dhënies së këtij titulli është: “Personalitet intelektual, për kontributin e pashoq në pushtetin vendor”.

Projekt vendimi mban firmën e kryebashkiakut Adem Lala por edhe të juristes e një eksperti në arsim.

KUSH ISHTE GAFURR MAZREKU

Gafurr Mazreku ka qenë kryetar i Partisë Socialiste në Has dhe deputet në Kuvendin Popullor në zgjedhjet e ’97-ës. Po në këtë vit, pas një debati në Parlament me deputetin Azem Hajdari, Mazreku qëllon mbi këtë të fundit pesë herë me pistoletë. Pas këtij atentati, ai u arrestua dhe gjykata e dënoi me 12 vite burg.

Sjellja e mirë dhe amnistitë e herëpashershme, e ulën dënimin për Mazrekun, i cili lirohet në vitin 2001, tre vjet pasi ishte dënuar. Në pranverën e vitit 2002 zgjidhet unanimisht kryetar i PS-së Has, por zgjedhja e tij refuzohet nga Komisioni i Garancive Statusore.

Në vjeshtën e vitit 2003 fiton postin e kryetarit të komunës Fajzë, në një bastion të PD-së. Në vitin 2005 ai ndahet nga jeta pas një infarkti.