10/10/2019 - 13:30
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka zbardhur vendimin e masës së dhënë; "arrest me burg" për ish-kreun e Kadastrës Durrës, Liridon Pula i cili akuzohet për "shpërdorim detyre".
Gjyqtarja Besjana Garxenaj e cila pasi çeli seancën gjyqësore, kreu verifikimin e prezencës së palëve dhe shqyrtoi aktet e fashikullit, pretendimet dhe provat e palëve të cilët kërkuan:
Prokurori Arjan Ndoja ka deklaruar se "ka dyshime të arsyeshme që personi nën hetim (Liridon Pula) të ketë kryer veprën penale. Emri i këtij shtetasi është regjistruar si person që i atribuohet vepra penale me Urdhrin e datës 30, por edhe sikur mos të ishte shënuar ka Vendim Unifikues të Kolegjeve të bashkuara të Gjykatës së Lartë, që thotë pozita procedurale e personit nën hetim e personit që atribuohet vepra penale apo atij që i regjistrohet emri janë tre pozita të ndryshme."
Sipas prokurorit Ndoja, "drejtori i ASHK-së është hallka e fundit e procesit që kontrollon gjithë procedurën deri në lëshimin e certifikatës. Është e vërtetë që ka disa hallka dhe se titullari i institucionit mund të ketë qenë në mirëbesim në momentin që ka nënshkruar Certifikatat dhe janë lejuar transaksionet, por në bazë të ligjit ai ka detyrën të kontrollojë nëse një praktikë është e përfunduar ose jo, është e rregullt apo ka parregullsi. Në rastin kur drejtuesi evidenton parregullsi nuk duhet të lejojë lëshimin e certifikatave dhe aq më tepër të kryhen transaksione me pasuri të paluajtshme."
Nga ana tjetër, pala mbrojtëse është shprehur se "në ASHK ka disa hallka dhe secili prej punonjësve ka përgjegjësinë e tij. Në këtë rast ka qenë përgjegjësja e zonës që i ka paraqitur praktikën drejtuesit pa kryer verifikimet. Përgjegjësi i zonës shpërndan punën tek specialistët dhe jo drejtuesi. Specialistët kur përfundojnë detyrën lënë shënimet përkatëse. Përgjegjësja e zonës ia ka vënë në dispozicion praktikën drejtorit me dokumentacionin ligjor që i duhet drejtorit për të verifikuar pasi nuk verifikon çdo detaj. Drejtuesi kontrollon vetëm dokumentacionin kryesor. Dokumentacionet e tjera kontrollohen nga hallkat e tjera të sistemit."
Vetë Pula i cili është dakord me avokaten e tij për revokimin e masës së sigurimit, ka thënë se "kur ka problematika, diskutohen me përgjegjësin e zonës sepse filtri i parë nuk është drejtuesi, hallka e mesme është përgjegjësi i zonës. Ai garanton që dokumentet, nga aplikimi deri kur të vijnë tek zyra ime, të jenë të plotësuara konform ligjit, për të gjitha praktikat. Në rast se drejtuesi nuk do të ishte jurist por do të ishte ekonomist, çfarë pretendime do të ngriheshin për atë që nuk ka formim në jurisprudencë. Për këtë arsye janë hallkat."
Më poshtë lexoni vendimin e plotë të Gjykatës së Durrësit
/portali DurresLajm/