Personi që u plagos mbrëmë në Tiranë është Mishel Manoku. Ai ka luajtur në filmin “Saimir”, si djali i Xhevdet Ferrit.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë pranë gjimnazit Partizani dhe ndodhet i plagosur në spitalin e Traumës. Kur është pyetur për emrin në momentin e parë që ka mbërritur në urgjencë ka dhënë një emër të rremë, duke thënë se quhej Nishe Prendi. Burime nga Policia thanë se i plagosuri ka paraqitur nje kartë identiteti me emrin Edison Delia, por ka dyshime të forta që edhe ky identitet është i rremë, shkruan gazeta "Panorama".

Dyshohet se Manoku ka fshehur identitetin pasi ishte person i shpallur në kërkim. Dëshmitarët kanë denoncuar në polici se kanë dëgjuar 7 të shtëna armë zjarri dhe më pas kanë gjetur të plagosur një person, i cili ndodhej i shtrirë në krah të një automjeti të parkuar.

Fillimisht u dyshua për një atentat të mundshëm, ndërsa i plagosuri u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës.

Sipas mjekëve, i riu ka dy plagë armë zjarri dhe i është nënshtruar një operacioni dhe e ka kaluar rrezikun për jetën. 

Informacioni paraprak nga Policia:

Më datë 20.07.2017, rreth orës 21:11, në numrin e Emergjencave 112, ka ardhur telefonatë për të shtëna me armë në afërsi të gjimnazit “Partizani”.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca.

Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se në rrugën “4 Dëshmorët”, është gjendur një shtetas i shtrirë dhe i gjakosur i cili është transportuar në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gëzhoja të qitura nga armë e llojit pistoletë.

Janë ngrit pika kontrolli në hyrje dalje të zonës dhe vazhdon krehja e territorit.

Grupi hetimor po vazhdon punën për saktësimin e gjeneraliteteve të të plagosurit dhe zbardhjen e shkakut dhe rrethanave të ngjarjes.