Me urdhër të SPAK-ut, Policia e Shtetit njoftoi se ka zbuluar mëngjesin e ditës së shtunë, një depo armësh të fshehur në mur pranë ish-oxhakut të Ndërmarrjes “Migjeni” në Tiranë në pronësi të Sokol Xhurës. Në një ambient të izoluar plotësisht me mur, Policia gjyqësore, pasi ka realizuar rrëzimin e murit, ka zbuluar depon e fshehur, ku janë gjetur një arsenal mjaft i madh, armesh të llojeve të ndryshme, kalibrave të ndryshëm, municione luftarake, lëndë plasëse të ndryshme, armë të kalibrave të ndryshëm me dylbi, etj.

Si nisi operacioni?

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me datë 3 mars 2021 ka regjistruar procedimin penal nr.52 për veprat penale te “Vrasjes me paramendim”, e kryer për interes, në bashkëpunim në formën e ”Grupit të strukturuar kriminal”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” si dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armeve, armëve shpërthyese dhe municionit”, ”Grupit të strukturuar kriminal” vepra penale te parashikuara nga nenet 78/2, 22, 152, 278, 28/4, 333/a dhe 334/1 te Kodit Penal, në ngarkim të personave nën hetim Gj.Cukali, E. Jamaku dhe E. Jamaku.

Pas hetimeve të mëtejshme, janë kryer kontrolle dhe ndaluar e arrestuar një numër personash për veprat penale të “Trafikimi i armëve dhe municionit”, kryer në bashkëpunim në kuadër të ”Grupit të strukturuar kriminal’, ”Prodhimi dhe mbajtjes së armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe ”Kanosja”, etj, të parashikuar nga nenet 278/a, 28/4, 333/a, 334/1, 278 dhe 84 të K.Penal.

Ky hetim ndiqet në dinamikë me policinë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Në datë 9 prill 2021, nga ana e Prokurorisë së Posaçme i është kërkuar Gjykates se Posaçme te Shkalles se Pare për Korrupsionin dhe Krimin te Organizuar, lejimi i kontrollit të ambienteve të të hetuarit në këtë procedim, shtetasit Sokol Xhura, i biri i Ismailit dhe i Zelihas, i datelindjes 16.03.1978.

Mëngjesin e ditës së sotme, nga ana e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, është realizuar kontrolli i këtyre ambienteve, në rrugën Xhanfize Keko, ish-ndërmarrja artistike “Migjeni”, pranë ish-oxhakut të kësaj ndërrmarrje, në një ambient të izoluar plotësisht me mur.

Policia gjyqësore, pasi ka realizuar rrëzimin e murit, ka zbuluar depon e fshehur, ku janë gjetur një arsenal mjaft i madh, armesh të llojeve të ndryshme, kalibrave të ndryshëm, municione luftarake, lëndë plasëse të ndryshme, armë të kalibrave të ndryshëm me dylbi, etj.

Nga ana e policisë gjyqësore është duke vazhduar dokumentimi me hollësi, i kësaj veprimtarie.

Për hollësi të mëtejshme, do të vijojë një komunikatë e detajuar nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.