Komisioni Europian konfirmoi marrjen në dorëzim të kërkesës së Holandës për aktivizimin e pezullimit të vizave për Shqipërinë. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, zëdhënësja Natasha Bertaud, saktësoi se një vendim i tillë nuk është i lehtë për t’u marrë dhe për këtë rast duhet të shqyrtohen me kujdes të dhënat në dispozicion.  

“Komisioni do të verifikojë me kujdes përmbajtjen e lajmërimit të Holandës në varësi edhe të të dhënave që disponon për rrethanat në fjalë. Hapi ynë i radhës është të njoftojmë Këshillin dhe Parlamentin. Vendimi për pezullimin e vizave nuk mund të merret me shpejtësi. Ne do të kryejmë një proces të plotë analizimi të rrethanave dhe më pas gjetjet do ia dërgojmë Parlamentit”, është shprehur zëdhënësja e Komisionit.

Zëdhënësja shtoi se kjo procedurë mund të zgjasë mbi një muaj. Kërkesa e Holandës për pezullimin e vizave vjen pak para se Këshilli i Bashkimit Europian të vendosë për çeljen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Progresraporti i fundit i Komisionit theksonte se Shqipëria i përmbush kushtet për liberalizimin e vizave.