Katër ditë pasi doli nga spitali zhduket për herë të dytë gardisti Ervin Dërguti. Familjarët denoncuan për herë të dytë në emisionin ’Pa Gjurmë’ zhdukjen e të riut, 27-vjeçar këtë të enjte rreth orës 10:30 të paradites.

E shqetësuar nëna e tij Gjyle Dërguti telefonon menjëherë stafin e ‘Pa Gjurmë’, ndërsa me lot në sy kërkon sërish të birin.

“Unë dola në mëngjes për punë. Më mori burri dhe më tha djali ka ikur nga shtëpia. Kishte të veshur një këmishë ngjyrë gri, atlete të zeza, pantallona blu. Dhe një qese të zezë në dorë. Ishte i rënduar”, tha nëna

Hera e parë kur u largua nga banesa, nënoficeri i Gardës së Republikës Ervin Dërguti ishte data 27 prill e këtij viti. Falë shumë informacioneve që mbërritën në studion e emisionit u zbuluan vendndodhje të ndryshme të 27-vjeçarit, fillimisht në Elbasan, e më pas se ishte parë në fshatin Shëngjergj të Tiranës.

Në gjendje të rënduar mendore dhe fizike Ervini u kthye me këmbët e veta në shtëpi mesnatën e vonë të 23 majit, 2 javë pasi ishte zhdukur.

Më pas ai qëndroi për disa ditë  në spital, nën kujdesin e mjekëve, pasi nuk gëzonte shëndet të mirë mendor. Këtë të hënë të datës 1 qershor Ervini doli nga spitali dhe u kthye në banesë. Por, katër ditë më pas ai u zhduk për herë të dytë.

“Herën e parë që u zhduk nuk kishte shfaqur probleme, por kësaj here ai ishte i rënduar nga shëndeti mendor. Paradite e sotme në orën 10:00. Ka përfituar që nuk ka qenë i ati për momentin dhe ka dalë. I është drejtuar autostradës. Disa ditë qëndroi në spital dhe këtë të hënë doli nga spitali. E ëma ishte në punë, kur Ervini është larguar”, tha daja i tij Haxhi Vela gjatë një lidhje telefonike./ shqiptarja.com