Sendet personale u gjetën në traget, mungonte pasaporta shqiptare e avokatit. 

Çanta e avokatit Besnik Muçi 52 vjeç me sendet personale, një kartë qëndrimi italiane, dhe xhupi janë sekuestruar si prova materiale nga policia e Durrësit në tragetin “Adria”. 

Nga këqyrja e sendeve personale ka rezultuar se ato i përkisnin shtetasit shqiptar me nënshtetësi italiane Besnik Muçi.

Burimet nga policia kanë bërë me dije për “DurrësLajm”, se sendet personale i janë dërguar prokurorisë italiane pas kallëzimit që ka bërë atje bashkëshortja e avokatit të zhdukur prej datës 2 nëntor në portin e Durrësit.

Të njëjtat burime kanë saktësuar se pas denoncimit të vëllait të personit të zhdukur Viktor Muçit, nisën hetimet nga policia e Durrësit, dhe pritet të sekuestrohen pamjet filmike të portit të Durrësit, nga të cilat pritet që të vërehet fakti se me kë ka hipur në traget mbrëmjen e 2 nëntorit  avokati i zhdukur pa gjurmë.

Analizimi i pamjeve filmike të portit të Durrësit, të pamjeve filmike të brendshme të tragetit por edhe të pamjeve të portit të Barit, pritet të hedhin dritë mbi zhdukjen e avokatit.

Meqenëse trageti kishte destinacion Italinë, dhe avokati ishte nisur drejt Italisë, hetimet zhvillohen  nga pala italiane. Avokati mund të jetë hedhur në det në ujërat ndërkombëtare apo italiane. Askush nuk e di, për aq kohë sa kamerat brenda tragetit do të tregojnë se deri në çfarë ore ka qëndruar në sallën e pritjes e të qëndrimit avokati.

Pamjet brenda tragetit sekuestrohen nga pala italiane, së bashku me pamjet e portit të Barit, ndërsa pamjet në portin e Durrësit në terminalin e tragetit aty ku avokati ka hyrë, ka bërë chek-in, ka qëndruar e më pas është drejtuar në target, me kë ka biseduar etj. analizohen nga policia e Durrësit.  

K.H.