Për shkak të zjarrit të madh që ka përfshirë një servis për shitje pjesë këmbimi automjetesh, në zonën e Rrashbullit, Durrës, po kryhet evakuimi i banorëve përreth, si dhe është devijuar qarkullimi i mjeteve.

Zjarri ka shpërthyer rreth një orë më parë në servisin e shtetasit Ilmi Bardhoku dhe ende nuk është shuar.  

“Në vendngjarje ndodhet dhe grupi hetimor, ku vijon puna për zbardhjen e rrethanave të rënies së zjarrit në këtë servis”- njofton policia e Durrësit.

Njoftimi i policisë:

Durrës/Informacion paraprak

Më datë 01.02.2020, rreth orës 19:55, në Rrushbull, sa kalon shinat e trenit, ka rënë zjarr në një servis për shitje pjesë këmbimi për automjete.

Në vendngjarje kanë shkuar 5 makina zjarrfikëse ku aktualisht është bërë e mundur izolimi i përhapjes së mëtejshme të flakëve.

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të  Tiranës, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë dhe të Komisariatit të Policisë Durrës po evakuojnë banorët përreth, duke i larguar nga jashtë perimetrit të sigurisë.

Shërbimet e Policisë rrugore të Durrësit kanë marrë masa për devijimin e qarkullimit dhe mos lejimin e kalimit të asnjë automjeti në afërsi të servisit të përfshirë nga flakët.

Në vendngjarje ndodhet dhe grupi hetimor, ku vijon puna për zbardhjen e rrethanave të rënies së zjarrit në këtë servis.

Vijon puna për shuarjen e plotë të zjarrit.